Demokrati Rob Sand (44) mposhti republikanin Zach Lahn në zgjedhjet e së martës, duke u bërë demokrati i parë që zgjidhet guvernator i shtetit amerikan Iowa në dy dekadat e fundit.
Pak ditë pas fitores së tij, mediat amerikane zbuluan një detaj interesant nga e kaluara e tij: Sand dikur ka punuar si model profesionist, duke sfiluar për disa nga shtëpitë e modës më të famshme në botë, përfshirë Prada-n.
Në fillim të viteve 2000, ndërsa studionte në universitetin prestigjioz Brown në SHBA, Sand udhëtoi nëpër Evropë dhe punoi si model për të siguruar para për arsimimin e tij. Ai mori pjesë në sfilata në Milano dhe Paris, duke punuar për shtëpi mode si Prada, Giuliano Fujiwara dhe marka japoneze Number (N)ine.
Veçanërisht bie në sy pjesëmarrja e tij në sfilatën e veshjeve për meshkuj të Prada-s për sezonin e pranverës 2003, e mbajtur në Milano në gusht 2002. Ai përfaqësohej nga agjencia e njohur Elite Model Management dhe u shfaq gjithashtu në revista mode.
Sand e kishte mbajtur kryesisht karrierën e tij si model larg vëmendjes politike. Megjithatë, në një intervistë për Newsweek, ai tregoi se si e humbi mundësinë për të marrë pjesë në zgjedhjet paraprake demokrate në Iowa, në vitin 2004, për shkak të angazhimeve të tij si model.
Në atë kohë, ai planifikonte të mbështeste kandidatin presidencial Howard Dean, por iu desh të zgjidhte midis një aktiviteti politik në vendlindjen e tij, Decorah, dhe një udhëtimi pune në Evropë. Ai zgjodhi modelingun dhe udhëtoi drejt Milanos.
Pas diplomimit në Universitetin Brown në shkenca politike, Sand mori një diplomë në drejtësi nga Universiteti i Iowa. Ai filloi punë në zyrën e prokurorit shtetëror, ku u specializua në luftën kundër korrupsionit. Ai mori pjesë në ndjekjen penale të një prej rasteve më të mëdha të manipulimit të lotarisë në historinë amerikane. Çështja përfshinte manipulimin e çmimeve të mëdha në pesë shtete.
Në vitin 2018, ai u zgjodh auditor shtetëror i Iowa dhe mori detyrën në vitin 2019. Në këtë post, ai u angazhua në mbikëqyrjen e shpenzimeve publike, trajtimin e parregullsive në punën e institucioneve shtetërore dhe zbulimin e keqpërdorimeve të mundshme të fondeve publike.
Në zgjedhjet e 3 nëntorit, sipas rezultateve paraprake, Sand fitoi më shumë se 55 për qind të votave, duke mposhtur biznesmenin republikan Zach Lahn. Kjo i dha fund një dominimi njëzetvjeçar të republikanëve në zgjedhjet për guvernator në Iowa. Sand do ta merr detyrën në janar 2027.

