Kryeministri armen, Nikol Pashinyan, ka lënë të hapur mundësinë e largimit të trupave ruse nga vendi, duke deklaruar se Armenia nuk ka më nevojë për bazën ushtarake ruse në Gyumri.
Pashinyan iu referua bazës së 102-të ushtarake ruse, e cila ndodhet në qytetin e Gyumrit.
Rusia dhe Armenia fillimisht kishin nënshkruar një marrëveshje për qëndrimin e bazës për 25 vjet, ndërsa në vitin 2010 marrëveshja u zgjat deri në vitin 2044.
Zyrtarisht, baza ruse ka për detyrë të kontribuojë në mbrojtjen e Armenisë nga kërcënimet e jashtme. Megjithatë, Pashinyan tha se prania e forcave ruse nuk po i shton asgjë sigurisë së vendit.
“Nëse duan ta largojnë, le ta largojnë. Nëse duan të qëndrojnë, ne jemi të gatshëm të diskutojmë kushtet për vazhdimin e pranisë së tyre”, tha Pashinyan.
Deklaratat e tij vijnë në një periudhë kur marrëdhëniet mes Armenisë dhe Rusisë janë përkeqësuar ndjeshëm.
Qeveria e Pashinyanit ka kërkuar një politikë më të pavarur të sigurisë dhe ka zgjeruar bashkëpunimin me vendet perëndimore.
Prania ushtarake ruse në Armeni ka qenë prej vitesh një prej shtyllave kryesore të marrëdhënieve të sigurisë mes dy vendeve. Megjithatë, autoritetet armene kanë vënë gjithnjë e më shumë në pikëpyetje rolin e Rusisë në mbrojtjen e vendit, veçanërisht pas zhvillimeve në rajonin e Kaukazit. /Telegrafi/