KORREKT / SOT27 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Dictionary.com shpall fjalën e vitit 2026: “Maxxing”, pasqyra e një shoqërie të fiksuar pas optimizimit

Dictionary.com shpall fjalën e vitit 2026: “Maxxing”, pasqyra e një shoqërie të fiksuar pas optimizimit

Fjala “Maxxing”, një term i përhapur në zhargonin e internetit dhe në rrjetet sociale, është shpallur “Fjala e Vitit 2026” nga Dictionary.com.

E shkurtuar nga fjala angleze “maximizing”, ajo përdoret për të përshkruar përpjekjen për të bërë diçka në nivelin maksimal ose për ta optimizuar sa më shumë.

Termi mund të përdoret i vetëm ose t’i shtohet një fjale tjetër për të treguar se diçka po bëhet në shkallën më të lartë të mundshme, transmeton Telegrafi.

Dictionary.com, i cili vitin e kaluar kishte zgjedhur shprehjen “6-7”, kësaj radhe ka përzgjedhur një tjetër term të popullarizuar nga brezat Gen Z dhe Gen Alpha.

Origjina e tij lidhet me shprehjen “maxing out a credit card”, që nënkupton tejkalimin e kufirit të kredisë, si dhe me kulturën e videolojërave.

Termi u përhap veçanërisht gjatë viteve 2010 në komunitetet e njohura si “manosphere” dhe në nënkulturat incel, përmes shprehjes “looksmaxxing”.

Kjo e fundit përshkruan përpjekjet për të maksimizuar tërheqjen fizike përmes ushtrimeve, kujdesit personal dhe ndryshimeve në pamje.

Në fillimet e saj, shprehja përdorej shpesh në diskutime rreth refuzimit romantik dhe marrëdhënieve të dështuara.

Popullariteti i termit u rrit më tej me përhapjen e ndikuesve kontroversë të “manosphere”, përfshirë transmetuesin e drejtpërdrejtë Braden Peters, i njohur si Clavicular, i cili promovon një përkushtim ekstrem ndaj pamjes mashkullore.

Ai është akuzuar për sulm seksual ndaj një të reje në vitin 2025 dhe javën e kaluar u deklarua i pafajshëm për akuzën.

Megjithatë, përdoruesit e rrjeteve sociale janë përpjekur ta shkëpusin fjalën “maxxing” nga reputacioni i saj fillestar dhe lidhjet me maskulinitetin agresiv.

Termi është përvetësuar nga të rinjtë për të përshkruar një gamë shumë më të gjerë aktivitetesh, ndërsa kërkimet për të në internet shënuan rritje të madhe në gusht.

Steve Johnson, drejtor i leksikografisë në Dictionary Media Group të kompanisë IXL Learning, tha se “maxxing” pasqyron një kulturë gjithnjë e më të përqendruar te përpjekja për të nxjerrë maksimumin nga gjithçka.

“Sido që të jetë ajo që bëjmë, duam ta çojmë edhe më tej”, deklaroi Johnson.

Sipas tij, përdorimet në zgjerim të termit tregojnë edhe mënyrat e ndryshme se si njerëzit reagojnë ndaj kësaj prirjeje: disa e përqafojnë, disa e teprojnë me të për humor, ndërsa të tjerë e përdorin për të ironizuar pikërisht presionin për të arritur gjithnjë e më shumë.

Johnson përmendi shembuj të përdorimit të fjalës në fusha të ndryshme të jetës: “proteinmaxxing”, për shtimin e proteinave në ushqim; “tokenmaxxing”, për përdorimin sa më të madh të mjeteve të inteligjencës artificiale gjatë punës; dhe “cozymaxxing”, për përqendrimin te rehatia dhe relaksimi, për shembull gjatë një mbrëmjeje të së premtes.

Ndër variantet e tjera janë “hardmaxxing”, që lidhet me metoda ekstreme për ndryshimin e pamjes, si dietat e rrepta, ndërhyrjet kirurgjikale në fytyrë apo edhe praktika të rrezikshme si goditja e kockave të fytyrës; “softmaxxing”, që përfshin ndryshime më të lehta, si një model i ri flokësh; “jestermaxxing”, përdorimi i humorit për të fituar pranimin ose popullaritetin në shoqëri; dhe “sleepmaxxing”, përpjekja për të përmirësuar sasinë dhe cilësinë e gjumit.

Pavarësisht popullaritetit, termi ka edhe një dimension më shqetësues: ai pasqyron një shoqëri gjithnjë e më të lidhur me internetin, ku përmirësimi dhe optimizimi i vazhdueshëm po bëhen pjesë e përditshmërisë. Një shembull është “tokenmaxxing”, që mund t’i referohet edhe rasteve kur kompanitë u kërkojnë punonjësve të përdorin sa më shumë mjete të inteligjencës artificiale, pa qenë domosdoshmërisht e qartë nëse kjo sjell përfitime reale.

Përveç “Maxxing”, në listën e ngushtë të kandidatëve për Fjalën e Vitit 2026 nga Dictionary.com ishin edhe “Affordability” (përballueshmëria e kostos së jetesës), “Data center” (qendra e të dhënave), “Odyssey” dhe “Unc”.

Interesi për fjalën “Odyssey” lidhet, sipas raportimit, edhe me rritjen e kërkimeve për Homerin pas publikimit të filmit të Christopher Nolanit, The Odyssey.

Ndërkaq, “Unc”, formë e shkurtuar e fjalës “uncle”, përdoret nga brezat e rinj për të përshkruar një person më të moshuar që konsiderohet i shkëputur nga trendet ose jo në modë. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.