Një vajzë 15-vjeçare është sulmuar mëngjesin e sotëm nga qentë në Prishtinë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:20, te hyrja e Ortopedisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
E mitura është dërguar për trajtim në Qendrën Emergjente, ndërsa Telegrafi ka kontaktuar me Drejtorin e Qendrës së Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, i cili ka bërë të ditur se ajo është liruar për në shtëpi në gjendje stabile.
“Vajza është lëshuar në gjendje stabile. Janë vërejtur plagë të lehta në trup dhe është trajtuar me terapi përcjellëse”, ka deklaruar Syla për Telegrafi.
Lidhur me situatën e qenve endacakë në këtë zonë, Telegrafi ka kontaktuar edhe me Habib Qorrin, udhëheqës i Sektorit për Shërbime Publike në Komunën e Prishtinës, i cili ka thënë se zona e QKUK-së vazhdon të mbetet ndër pikat më problematike për menaxhim.
“Zona e QKUK-së vazhdon të jetë një pikë kritike për t’u menaxhuar nga qentë endacak, pasi në vazhdimësi ka pasur sulme të tyre ndaj qytetarëve”, ka thënë Qorri.
Ai ka bërë të ditur se komuna ka ndërhyrë në disa raste, duke larguar një numër të konsiderueshëm qenësh nga kjo hapësirë.
“Ne kemi intervenuar në largimin e tyre në disa raste, që janë larguar rreth 100”, ka theksuar Qorri.
Sipas tij, një problem shtesë mbetet edhe fakti se në Prishtinë sillen qen nga pjesë të tjera të Kosovës, çka e vështirëson menaxhimin dhe kontrollin.
“Po ashtu një problematikë tjetër është që ka edhe qen që sillen nga pjesë tjera të Kosovës në Prishtinë… kjo mbetet një sfidë më e madhe për Komunën e Prishtinës për shkak të mekanizmave hulumtues dhe identifikimin e personave që i lëshojnë në mënyrë të fshehtë”, ka thënë ai.
Qorri ka vlerësuar se problemi kërkon trajtim në nivel qendror dhe se pa ndërhyrje institucionale nga shteti, situata do të vazhdojë të përsëritet.
“Andaj ky problem vazhdon të jetë në nivel qendror dhe pa ndërhyrje nga shteti, do të vazhdojë kjo problematikë… pasi komuna i largon, prap sillen qen të rinj”, ka deklaruar Qorri, duke shtuar se “qytetarët e vuajnë më së shumti”. /Telegrafi/