Një incident dramatik ka ndodhur në një fluturim të kompanisë ajrore Flydubai nga Dubai drejt Tel Avivit, kur bashkëpiloti sulmoi dhe goditi me thikë pilotin kryesor dhe, sipas dëshmitarëve, tentoi ta rrëzonte aeroplanin.
Një tragjedi më e madhe u shmang falë reagimit të shpejtë të pasagjerëve dhe një stomatologu, i cili i dha ndihmën e parë kapitenit të plagosur rëndë dhe i shpëtoi jetën.
Aeroplani u detyrua të ulej në mënyrë të paplanifikuar dhe në rrethana emergjente në qytetin Tabuk të Arabisë Saudite. Sipas gazetës The Jerusalem Post, e cila ka publikuar dëshmi të pasagjerëve, në kabinën e pilotëve shpërtheu një përleshje mes bashkëpilotit nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe pilotit me origjinë nga Omani.
“Sa kuptova, bashkëpiloti tentoi të vriste veten dhe të gjithë ne”, tha një nga pasagjerët për mediat izraelite.
Publikohen videot brenda aeroplanit që shkonte drejt Tel Avivit – raportohej se u tentua të rrëzohej

Ndërsa aeroplani po humbte shpejt lartësinë dhe po zhytej drejt tokës, një grup pasagjerësh që ndodheshin në pjesën e përparme të aeroplanit vrapuan drejt kabinës së pilotëve për ta neutralizuar sulmuesin. Mes tyre kishte edhe rezervistë izraelitë dhe ish-pjesëtarë të njësive luftarake.
Pamjet e realizuara gjatë fluturimit tregojnë pasagjerë me njolla gjaku në rroba, pasi kishin ndërhyrë për ta ndalur përleshjen. Dëshmitarët thanë se pasagjerët arritën ta mposhtnin sulmuesin dhe ta nxirrnin atë nga kabina e pilotëve.
Në pjesën e pasme të aeroplanit ndodheshin edhe dy pilotë civilë, të cilët fillimisht ishin të tronditur. Pasi pasagjerët u kërkuan të reagonin, ata shkuan në kabinë dhe njëri prej tyre mori kontrollin e aeroplanit, duke e stabilizuar fluturimin.
Stomatologu ia shpëtoi jetën kapitenit
Paralelisht me përpjekjet për të marrë kontrollin e aeroplanit, në kabinë zhvillohej edhe një betejë për jetën e pilotit të goditur me thikë.
“Gjendja e tij ishte jashtëzakonisht e rëndë, kritike. Jetën ia shpëtoi një stomatolog izraelit që ndodhej mes pasagjerëve dhe i dha menjëherë ndihmën mjekësore”, tha njëri nga dëshmitarët.
Aeroplani ishte nisur nga Dubai në orën 07:05 sipas kohës lokale, ndërsa ulja në aeroportin Ben Gurion në Tel Aviv ishte planifikuar për në orën 09:30.
Megjithatë, pas rreth një orë e gjysmë fluturimi, pasi hyri në hapësirën ajrore të Jordanisë, aeroplani aktivizoi kodin ndërkombëtar 7700, i cili sinjalizon një situatë emergjente. Pak më vonë u aktivizua edhe kodi 7500, që zyrtarisht sinjalizon rrëmbimin e një aeroplani.
Më pas aeroplani ndryshoi drejtim, hyri sërish në hapësirën ajrore të Arabisë Saudite dhe vazhdoi fluturimin në një lartësi më të ulët. Pas ndryshimit të kursit, aeroplani u ul me sukses dhe pa probleme në aeroportin e Tabukut.
Hetimi për këtë incident është në zhvillim. Përveç ekspertëve sauditë, në të marrin pjesë edhe ekspertë izraelitë, ndërsa portali Ynet raporton se po shtohen dyshimet se bëhet fjalë për një tentativë sulmi terrorist. /Telegrafi/