KRU “Gjakova” ka njoftuar se ka vazhduar aksionin në terren për shkyçjen e konsumatorëve që nuk i kanë përmbushur obligimet financiare ndaj kompanisë.
Ekipet e shkyçjes dhe kontrollit, së bashku me menaxhmentin e kompanisë, kanë ndërmarrë masa ndaj konsumatorëve të cilët, pavarësisht vërejtjeve të dërguara më herët, nuk i kanë shlyer borxhet.
Në fshatin Xërxë të Komunës së Rahovecit janë shkyçur disa konsumatorë, ndërsa borxhet e disa prej tyre arrinin deri në 10 mijë dhe 6 mijë euro.
Aksioni ka vazhduar edhe në qytetin e Gjakovës, ku konsumatorëve borxhlinj u është ndërprerë furnizimi me ujë.
KRU “Gjakova” u ka bërë apel të gjithë konsumatorëve që t’i kryejnë obligimet ndaj kompanisë, me qëllim që të shmangin masat e shkyçjes. /Telegrafi/