Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka ngritur shqetësimin për mungesën e barnave në institucionet shëndetësore të Kosovës, duke thënë se shumë pacientë detyrohen t’i blejnë terapitë me paratë e tyre.
Gjatë fjalimit në Kuvend, Deliu-Kodra ka kritikuar suspendimin e katër farmacistëve një ditë pas interpelancës, duke theksuar se kjo masë nuk e zgjidh problemin e furnizimit me barna, transmeton IndeksOnline.
Ajo ka thënë se përgjegjësia për këtë situatë nuk lidhet vetëm me farmacistët, por edhe me planifikimin, prokurimin, furnizimin dhe menaxhimin e barnave, duke kërkuar llogaridhënie institucionale nga Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet përgjegjëse.
“Por a mendon dikush seriozisht se me suspendimin e katër farmacistëve zgjidhet problemi i mungesës së barnave në Kosovë? A do të thotë kjo se prej nesër pacientët nuk do të detyrohen t’i blejnë vetë terapitë e tyre? Sigurisht që jo”, ka deklaruar ajo.
Deputetja e PDK-së ka ngritur gjithashtu çështjen e profesionistëve të rinj shëndetësorë, të cilët kanë paralajmëruar protestë para Ministrisë së Shëndetësisë, për shkak të mungesës së mundësive për punësim.
Sipas saj, në Kosovë ekziston një paradoks, ku mjekët presin për vende pune, ndërsa pacientët presin me muaj për të marrë shërbime shëndetësore./IndeksOnline/

