Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka deklaruar se pacientja e ndjerë, në njërën prej intervistave të saj, kishte folur për mungesën e terapisë dhe pamundësinë financiare për ta blerë atë.
“Në njërën prej intervistave, e ndjera thotë që nuk i kam kushtet. Thotë që burri i saj paguhet 500 euro”, deklaroi Deliu-Kodra.
Ajo tha se pacientja kishte parashtruar edhe pyetjen: “A me jetu, a me ble barna?”, duke theksuar se kjo duhet të jetë një çështje që shqetëson institucionet dhe jo vetëm njëra apo tjetra palë politike.
Deliu-Kodra theksoi se nuk pajtohet që pacientët të mos mund të përfitojnë nga barnat që janë në Listën e Barnave Esenciale për shkak se nuk kanë mundësi financiare t’i blejnë ato vetë.
Sipas saj, raste të tilla raportohen pothuajse çdo ditë në mediat vendore, ndërsa tha se familjet nuk duhet të detyrohen të zgjedhin mes sigurimit të ushqimit dhe blerjes së terapisë.
Ajo bëri të ditur se pacientja e ndjerë, edhe në qershor edhe në gusht, kishte konfirmuar se nuk e kishte marrë terapinë.
Deliu-Kodra ngriti shqetësimin për mungesën e barnave, pavarësisht rritjes së buxhetit për shëndetësi, duke thënë se pacientët nuk duhet të përballen me pasojat e procedurave të prokurimit, autorizimit të marketingut apo furnizimit.
“Për pacientët është e rëndësishme ta kenë terapinë, i nderuar ministër. Ata duhet ta marrin terapinë, sepse barra e tyre e trajtimit me sëmundjen e tejkalon edhe procedurën e liferimit, edhe të gjitha procedurat tjera tenderuese”, deklaroi ajo.
Deputetja përmendi edhe një rast të raportuar një ditë më parë në Spitalin e Klinës, ku një pacient kishte folur për mungesën e terapisë dhe ishte detyruar ta blinte atë vetë.
Në fund, Deliu-Kodra tha se është përgjegjësi e të gjithë deputetëve dhe institucioneve që raste të tilla të mos përsëriten.
“Unë nuk dua të flas për rastin në fjalë, po shpreh ngushëllime familjes, por nuk ngushëllon asnjë pacient të mbetet pa terapi dhe të mos ketë mundësi financiare ta blejë të njëjtën”, përfundoi Deliu-Kodra.

