Blerta Deliu-Kodra, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka deklaruar se buxheti i shtetit është shpenzuar në fushata elektorale në 2-3 vitet e fundit.
Në tryezën “Përgjegjësia penale e përdorimit të parasë publike për qëllime elektorale” të organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në kuadër të së cilës u publikua edhe analiza e IKD-së me të njëjtin titull, Deliu-Kodra tha se e quan të rëndësishme iniciativën e IKD-së për ndryshimin e Kodit Penal, për rastet e shpeshta të shpenzimit të parasë publike.
Ajo ka thënë se Qeveria në detyrë ka marrë vendime për të subvencionuar studentë, gra lehona dhe të tjerë, në kohën kur paratë e shtetit ndahen në këtë formë dhe nuk ekziston një normë taksative që ndalon përdorimin e parasë publike për qëllime elektorale, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Pas ndarjes së 100 eurove, 3 ditë para balotazhit të zgjedhjeve lokale, studentët kanë pranuar mesazhe: ‘i juaji kryeministri në detyrë Albin Kurti’”, ka deklaruar Deliu-Kodra, duke iu referuar vendimit të 7 tetorit 2025, kur studentëve u kishte ardhur mesazhi me emrin e kryeministrit.
Ajo ka përmendur edhe një ndarje tjetër në qershor 2026, kur Qeveria në detyrë kishte ndarë 500 euro për gra lehona dhe kishte subvencionuar disa kompani ajrore. Sipas saj, vendimet e tilla, të marra në prag të zgjedhjeve, ndikojnë në procesin zgjedhor.
Deputetja ka sjellë si shembull edhe hapjen e konkursit në Komunën e Obiliqit, për të cilën, siç ka thënë, u njoftuan nga media dhe që ishte bërë në prag të zgjedhjeve të atij viti.
“Raste si ai i punësimeve në KEK, kanë të bëjnë me keqpërdorim për nevoja elektorale”, ka theksuar Deliu-Kodra, duke shtuar se, sipas njohurive të saj, institucionet kanë filluar hetime për rastin e fundit në KEK.
Ajo ka deklaruar se do t’i japë mbështetje iniciativës në Komision.
Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të mërkurën me mbështetje të Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë në Prishtinë, organizoi tryezën e diskutimit “Përgjegjësia penale e përdorimit të parasë publike për qëllime elektorale”, në kuadër të së cilës u publikua edhe analiza e IKD-së me të njëjtin titull.
Në këtë aktivitet, diskutohen gjetjet e analizës, si dhe Nisma Legjislative Qytetare për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit Penal, e mbështetur nga mbi 12 mijë qytetarë, në pjesën që synon përcaktimin e përgjegjësisë penale për përdorimin e parasë dhe burimeve publike për përfitim elektoral./BetimipërDrejtësi

