Ish-kongresistja repoublikane në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Marjorie Taylor Greene, mbajti një fjalim në Institutin Ron Paul në Teksas, ku bëri një deklaratë tronditëse.
Greene foli për arsyet pse dha dorëheqje nga posti në Kongres, përkatësisht për kërcënimet që kishte marrë pasi u përfshi në një konflikt me presidentin e SHBA-së, Donald Trump.
“Kur ai filloi të më quante tradhtare, fillova të marr kërcënime me vdekje. ‘Do të të vrasim, tradhtare’ ishte mesazhi që merrja çdo ditë. I raportova kur filluan t’ia dërgonin djalit tim, fëmijës tim më të vogël”, tha Greene, shkruajnë mediat.
Ajo më tej tha se ishte kontaktuar me persona nga rrethi më i afërt i Trumpit. Sipas saj, shumë prej tyre nuk iu përgjigjën, përveç drejtorit të FBI-së, Kash Patel, i cili një herë i kishte thënë se “hetimi është hapur”, por më pas nuk kishte pasur më kontakt me të.
“Më pas erdhi një mesazh nga Donald Trump. I kam ende në telefon, mendoj se do të përfundoja në burg nëse i publikoj, por i kam. Ai më tha se ishte faji im dhe se e meritoja atë që po më ndodhte, se nëse djali im do të vritej, unë do ta meritoja sepse e kam tradhtuar Donald Trumpin”, tha Greene.
Ajo shtoi se kjo është fytyra e vërtetë e një personi që është zgjedhur të jetë president i të gjithë amerikanëve dhe të ndryshojë gjendjen në vend.
“Trumpi më ndryshoi mua, por edhe republikanët në Kongres me të cilët kam punuar. E pashë nga brenda se çfarë gënjeshtarësh janë, po ashtu edhe demokratët. Nuk kanë ndërmend të bëjnë atë që ju premtojnë”, tha Greene.
Ajo u bë objekt i sulmeve të Trumpit për shkak të këmbënguljes së saj për publikimin e dokumenteve nga rasti i Jeffrey Epsteinit, financier dhe i dënuar për vepra seksuale.
Pas shumë kërcënimeve me vdekje dhe presioneve të tjera, Greene dha dorëheqje nga Kongresi, ndërsa në rrjetet sociale dhe paraqitjet publike vazhdoi të kritikonte Trumpin. /Telegrafi/