KORREKT / SOT13 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Sport

Daut Maxhuni për Telegrafin: Nuk desha ta lë Vushtrrinë në këtë gjendje, dashuria për klubin më bëri të qëndroj

Daut Maxhuni për Telegrafin: Nuk desha ta lë Vushtrrinë në këtë gjendje, dashuria për klubin më bëri të qëndroj

Kapiteni i Vushtrrisë, Daut Maxhuni, ka folur për fitoren e parë të skuadrës në Superligën e Kosovës, vështirësitë e klubit dhe arsyet që e shtynë të qëndrojë besnik, pavarësisht problemeve me të cilat u përball ekipi në fillim të sezonit.

Vushtrria e ka regjistruar fitoren e parë në këtë edicion të Albi Mall Superligës së Kosovës, duke mposhtur Gjilanin me rezultat 1-0 në kuadër të xhiros së tetë, pas shtatë humbjeve radhazi.

Në një intervistë për Telegrafin, kapiteni Daut Maxhuni e vlerësoi këtë triumf si një moment të rëndësishëm, duke shpresuar se tri pikët do të ndikojnë pozitivisht në atmosferën e skuadrës dhe do t’u japin futbollistëve motivim për ndeshjet e ardhshme.

“Vërtet është fitore e rëndësishme dhe ka ardhur në momentin më të mirë për ekipin, pasi kemi pasur shumë probleme në fillim të kampionatit. Besoj se do të ndikojë pozitivisht te ekipi”, u shpreh Maxhuni.

Kapiteni theksoi se mungesa e stadiumit dhe kushtet jo të mira të stërvitjes kanë ndikuar në skuadër. Sipas tij, tifozët dhe fusha vendase kanë qenë ndër armët më të forta të Vushtrrisë.

“Ne, si klub, për të treguar të drejtën, frymëzimin dhe armën tonë më të fortë i kemi pasur tifozët dhe stadiumin vendas. Që na ka penalizuar, nuk ka diskutim. Edhe kushtet ku po stërvitemi për momentin nuk janë aspak të mira, pasi në stadium kanë filluar punimet. Duhet të përballemi me shumë gjëra”, tha ai.

Maxhuni shpreson që të gjendet një zgjidhje për fushën në Dobërllukë, në mënyrë që skuadra t’i zhvillojë ndeshjet e pranverës si vendase.

Pavarësisht vështirësive, kapiteni vendosi të mos largohej nga klubi në një periudhë të ndjeshme, duke theksuar se dashuria për Vushtrrinë që nga fëmijëria ndikoi në vendimin e tij.

“Si kapiten, të tregoj të drejtën, kemi pasur vështirësi shumë të mëdha gjatë rrugëtimit, për ambicie të ndryshme. Mirëpo, kësaj here situata është krejt ndryshe. Gjendja në klub nuk ka qenë e mirë në fillim të sezonit, për arsye që dihen, por nuk kam dashur të largohem e ta lë klubin në gjendjen në të cilën ishte. Dashuria që kam pasur si fëmijë dhe shumë rrethana më kanë bërë të qëndroj besnik”, shtoi vushtrriasi.

Në fund, Maxhuni bëri thirrje për mobilizim më të madh, duke nënvizuar se interesat e klubit duhet të jenë mbi ato individuale. Ai beson se fitorja ndaj Gjilanit ka ndikuar për të mirë edhe në atmosferën e qytetit dhe shpreson që skuadra të vazhdojë me rezultate pozitive.

“Individët vijnë e shkojnë, por klubi është mbi të gjithë. Në këtë gjendje në të cilën është klubi, duhet mobilizim shumë më i madh. Situata dhe atmosfera te djemtë, por edhe në qytet, kanë ndryshuar për të mirë pas fitores së fundit. Besojmë se në ndeshjet e ardhshme do të tregojmë rezultate edhe më të mira. Normalisht, kjo rrugë nuk do të jetë e lehtë”, shtoi Maxhuni.

Pas fitores së parë në tetë xhirot e para, Vushtrria synon që këtë rezultat ta shndërrojë në pikënisje për një ecuri më të mirë dhe përmirësimin e pozitës në tabelën e Superligës së Kosovës. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.