Doktori Darko Vasilevski i ka dhënë fund grevës së urisë para Dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë. Përmes një publikimi në rrjetet sociale, ai tha se, pavarësisht gjendjes së rënduar shëndetësore, largohet me kokën lart, pasi, siç shprehet, ka denoncuar padrejtësinë me të cilën përballen një pjesë e punonjësve shëndetësorë.
Vasilevski shpreson se rasti i tij do të shërbejë si nxitje që në të ardhmen për situata të tilla të flitet më shumë dhe më zëshëm. Ai falënderoi një koleg dhe mik, mjek, i cili e kishte vizituar dhe i kishte ofruar mbështetje, si dhe qytetarët që i kishin ofruar ndihmë personalisht ose përmes mesazheve.
“Pas bisedës së shkurtër me dekanin e Fakultetit të Mjekësisë, kuptova se, si Don Kishoti, po luftoj me mullinjtë e erës dhe kam pritshmëri tepër të mëdha nga institucionet”, shkroi Vasilevski.
Ai shtoi se për gati një javë kishte pritur që dikush ta pyeste për gjendjen e tij, të kërkonte një zgjidhje ose t’i ofronte një bisedë konkrete.
Doktori Vasilevski tha se do të vazhdojë të merret me mjekësi, të avancojë dhe të arsimohet më tej, si dhe të përsosë njohuritë dhe përvojën e tij, me qëllim që të mbetet i përkushtuar ndaj asaj që, siç thotë, ka qenë gjithmonë më e rëndësishmja për të, të jetë një mjek i mirë.