Dardanet e Kosovës në futboll kanë mësuar kundërshtaret për edicionin e ri të UEFA Ligës së Kombeve, ku do të garojë në Ligën B.
Sipas një njoftimi të Federatës së Futbollit të Kosovës, në shortin e tërhequr të martën në selinë e UEFA-s në Nion të Zvicrës, Kosova u vendos në Grupin B4, së bashku me Slloveninë, Turqinë dhe Hungarinë.
Përzgjedhësja e Dardaneve, Sanije Krasniqi, e vlerësoi si të favorshëm shortin, duke theksuar se ekipi ka shënuar përparim dhe synon rezultate pozitive.
“Pa dyshim që Liga B është një nivel më i lartë se Liga C, por besoj se edhe ne jemi rritur si ekip dhe kemi potencial të mirë. Duke pasur parasysh kundërshtaret e mundshëm, mendoj se kemi pasur një short të favorshëm. Tani na mbetet që të përgatitemi me përkushtim dhe do të mundohemi të arrijmë rezultate pozitive në çdo ndeshje”, deklaroi Krasniqi.
Në edicionin e ri, Liga A dhe Liga B do të përbëhen nga 16 kombëtare secila, ndërsa 22 përfaqësuese të tjera do të garojnë në Ligën C.
Ndeshjet e dy xhirove të para do të zhvillohen nga 23 shkurti deri më 6 mars 2027. Xhirot e treta dhe të katërta janë paraparë për periudhën 13–24 prill, ndërsa dy xhirot e fundit do të zhvillohen nga 7 deri më 15 qershor 2027.

