Për herë të parë në historinë e kohëve të fundit, Danimarka ka vendosur rekrutë ushtarakë në Grenlandë, në një lëvizje që tregon rëndësinë gjithnjë e më të madhe strategjike të Arktikut.
Vendosja e trupave vjen në një periudhë tensionesh të shtuara, veçanërisht pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump për dëshirën e SHBA-së për të marrë kontrollin e Grenlandës, transmeton Telegrafi.
Trump e ka argumentuar këtë qëndrim me çështje të sigurisë kombëtare dhe ka kritikuar Kopenhagën për atë që e konsideron mungesë të investimeve në mbrojtjen e Arktikut.
Danimarka dhe Grenlanda e kanë kundërshtuar prerazi idenë e ndryshimit të statusit të territorit.
Rekrutët janë pjesë e grupit të parë të programit të ri danez të shërbimit ushtarak, i cili është zgjatur për të përgatitur ushtarë të aftë të operojnë në disa nga zonat më të vështira dhe strategjikisht më të rëndësishme të mbretërisë daneze.
Ata po marrin pjesë në stërvitjen Arctic Endurance, ku trajnohen për mbijetesë dhe operacione luftarake në temperatura ekstreme dhe kushte të ashpra klimatike.
“Prania jonë këtu tregon se nuk po mendojmë vetëm për veten, por edhe për njerëzit në Grenlandë”, tha 19-vjeçari David, një nga rekrutët.
Kopenhaga ka premtuar miliarda dollarë për forcimin e mbrojtjes së Arktikut, pasi ministri danez i Mbrojtjes ka pranuar se rajoni është neglizhuar për vite me radhë.
Stërvitja është pjesë e Arctic Sentry, një mision i NATO-s i nisur këtë vit për të rritur praninë e aleancës në Arktik dhe për të menaxhuar tensionet brenda NATO-s pas deklaratave të Trump për Grenlandën.
Ndërkohë, Rusia, e cila ka praninë më të madhe ushtarake në Arktik, ka kritikuar zgjerimin e aktiviteteve të NATO-s, duke e cilësuar atë si kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe si faktor që rrit rrezikun e një përplasjeje.
Edhe Kina ka shtuar aktivitetin e saj në rajonin e pasur me minerale, kryesisht përmes bashkëpunimit me Moskën.
Në veri të Rrethit Arktik, rekrutët danezë po përballen me një terren ekstrem, me shkëmbinj të zhveshur, hapësira të mëdha dhe temperatura të ulëta, në një mjedis ku kushtet klimatike mund të jenë po aq sfiduese sa vetë operacionet ushtarake.
“Besoj se kjo dërgon një mesazh të qartë se Danimarka po forcon veten për të ardhmen”, tha 22-vjeçari Anton, një tjetër rekrut. /Telegrafi/