Shkruan: Lularta Buja
“…Pas lirimit nga burgu, përshtatja kishte edhe anën e saj emocionale, ndërsa vazhdimi i shkollimit përbënte një sfidë më vete. Kthimi në familje ishte përjetimi më i bukur dhe më përmbushës për mua. Përkrahja e familjes, që nga fillimi i proceseve e deri në lirimin tim, ma lehtësoi përshtatjen…”.
Kështu tha ish-e burgosura politike Jehona Krasniqi për Klankosova.tv, që për të lirimi nga burgu shënon përfundimin e një periudhe izolimi, por jo domosdoshmërisht fundin e vështirësive që ajo periudhë lë pas.
Krasniqi ishte arrestuar më 23 maj 1998, bashkë me dy shoqet e saj, në zyrat e Unionit të Studentëve të Prizrenit. Ato ishin dënuar me nga dy vjet burgim, ndërsa ishin liruar pas gjashtë muajsh, më 13 nëntor 1998, me intervenimin e organizatës “Amnesty International”.
Por, krahas gëzimit të lirimit, ajo thotë se u përball edhe me nevojën për t’u përshtatur me jetën jashtë katër mureve dhe për të vazhduar rrugëtimin e saj jetësor.
Edhe pse përvojat e ish-të burgosurve politikë, si në rastin e Krasniqit, ndryshojnë nga ato të personave të dënuar për vepra penale – jeta pas lirimit kërkon më shumë sesa daljen fizike nga burgu. Ata mund të kenë nevojë për orientim profesional, arsimim, shërbime sociale ose mbështetje psikologjike.
Psikologia Ganimete Bajraktari, e cila merret me personat e dënuar në Austri, për Klankosova.tv tha se duhen shumë vite që një person të mund të integrohet normalisht në shoqëri, të gjejë një punë apo të vazhdojë shkollimin. Ajo thotë se të gjitha të drejtat e tyre janë shumë të kufizuara.
“Bazuar në përvojën time, ne i marrim personat e dënuar në qendrën tonë disa vjet para lirimit nga burgu. Gjatë këtyre viteve, kujdesemi për ta dhe, nëse është e nevojshme, ata ndjekin edhe psikoterapi. Të gjitha shërbimet i kanë në qendër. Nëse kanë nevojë për barna, edhe kjo merret parasysh. Gjatë kësaj periudhe, ata duhet të trajtohen dhe të përmirësohen, ndoshta edhe me ndihmën e medikamenteve. Edhe gjatë kohës që qëndrojnë në qendrën tonë, ne kujdesemi për ta dhe i mbështesim. Ndërkohë, gjatë këtyre viteve, përpiqemi të gjejmë mundësi që ata të integrohen në një profesion”, tha Bajraktari.
Ndërkohë, drejtori i “Caritas Kosova”, Alfred Pjetri, i cili për disa vite ka zhvilluar disa projekte në përkrahje të disa kategorive të të dënuarve, thekson rëndësinë e përfshirjes jo vetëm të institucioneve korrektuese, por edhe të shoqërisë në procesin e risocializimit të personave të dënuar.
“Këtë barrë nuk e kanë vetëm institucionet korrektuese, por edhe shoqëria, e cila, për fat të keq, ka shumë pak informacione për këto procese. Madje, shpesh i paragjykon dhe i vlerëson si të panevojshme, sepse të dënuarit nuk meritojnë ndonjë trajtim të kujdesshëm. Pra, përkundër dënimit që marrin për veprat e tyre, ekziston edhe një stigmatizim dhe, në njëfarë mënyre, kërkohet një mungesë kujdesi ndaj tyre. Kjo krijon një mjedis jo të favorshëm për riintegrimin e tyre…”, tha Pjetri për Klankosova.tv.
Nga përvoja personale te përgjegjësia e institucioneve – çfarë ka bërë shteti?
Përtej përkrahjes që mori nga familja, Krasniqi shpreh pakënaqësi për atë që e konsideron mungesë të përkrahjes institucionale dhe të trajtimit të dinjitetshëm për ish-të burgosurit.
“Si shoqëri, kemi ende shumë për të bërë që merita dhe dinjiteti i secilit të respektohen”, thotë ajo dhe vlerëson se përvoja e tyre nuk duhet të përfundojë në harresë pas lirimit, por duhet të shoqërohet me njohje dhe trajtim të dinjitetshëm.
Përvoja e organizatave që kanë punuar me personat e burgosur ofron një tjetër këndvështrim mbi vazhdimësinë e shërbimeve.
Pjetri nga “Caritas Kosova” tregon se organizata që ai përfaqëson ka realizuar projekte në mbështetje të të miturve dhe grave në burg, në Qendrën Korrektuese në Lipjan, gjatë periudhës 2013–2019. Sipas tij, projektet janë financuar nga partnerë ndërkombëtarë dhe jo nga institucionet vendore.
Ai vlerësoi se bashkëpunimi me Shërbimin Korrektues dhe Qendrën Korrektuese në Lipjan ka qenë i mirë dhe se projektet kanë synuar trajtimin human të të burgosurve dhe lehtësimin e riintegrimit pas lirimit.
Megjithatë, Pjetri bëri të ditur se projektet nuk kanë vazhduar për shkak të mungesës së fondeve.
Burgjet e Kosovës menaxhohen nga Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK), i cili vepron në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë (MD). Misioni kryesor i tij është riedukimi dhe rehabilitimi i personave të dënuar, përmes programeve të ndryshme rehabilituese dhe mundësive për aftësim profesional.
Sipas Ligjit për Shërbimin Korrektues të Kosovës, në njërën prej pikave të nenit 8 thuhet se ShKK është përgjegjëse edhe për: “udhëzimin dhe mbështetjen ndaj personave të dënuar lidhur me planin e riintegrimit pas lirimit”.
Redaksia e kontaktoi Shërbimin Korrektues të Kosovës. Në përgjigjen e tyre për Klankosova.tv, ShKK tha se zbaton programe rehabilituese dhe ofron trajnime profesionale. Megjithatë, ky institucion potencoi se nuk ka mandat të drejtpërdrejtë për mbështetjen pas lirimit.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës zbaton programe rehabilituese që synojnë ndryshimin e sjelljeve dhe zhvillimin e shkathtësive sociale [për të burgosurit, shën.red.]. Gjithashtu, ofron trajnime profesionale në fusha të ndryshme, me qëllim rritjen e mundësive për punësim dhe përgatitjen për jetën pas lirimit. ShKK-ja përgatit personat e dënuar për riintegrim, por nuk ka mandat të drejtpërdrejtë për mbështetjen pas lirimit. Përmes bashkëpunimit me Agjencinë e Punësimit dhe institucionet e tjera, synohet informimi për mundësitë e punësimit dhe lehtësimi i riintegrimit. Parandalimi i përsëritjes së veprave penale kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm institucional edhe pas lirimit”, thanë nga ShKK-ja.
Ndërkohë, gati para një viti, Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës (APRK), për K2.0 kishte thënë se nuk kanë marrëveshje të drejtpërdrejta bashkëpunimi me MD-në apo ShKK-në për riintegrimin e ish-të dënuarve në tregun e punës.
Në shkurt të vitit 2026, EULEX-i njoftoi se kishte ndihmuar Shërbimin Korrektues të Kosovës në hartimin dhe finalizimin e një udhëzuesi të brendshëm për zbatimin e planeve individuale të vuajtjes së dënimit, së bashku me një formular për shqyrtimin e tyre. Sipas tyre, planet duhet të përshtaten me rreziqet, nevojat dhe objektivat rehabilituese të secilit person, ndërsa rishikimet e rregullta duhet të mundësojnë vlerësimin e përparimit dhe përshtatjen e masave kur rrethanat ndryshojnë.
Një tjetër zhvillim u shënua në shtator 2026, kur Këshilli i Evropës raportoi për diskutime ndërmjet institucioneve të Kosovës lidhur me rehabilitimin dhe riintegrimin pas dënimit, në kontekstin e personave të dënuar për vepra të lidhura me ekstremizmin e dhunshëm. Ky zhvillim ilustroi një çështje më të gjerë të politikave të riintegrimit: nevojën për koordinim ndërmjet institucioneve që mund të ofrojnë shërbime pas lirimit. /Klankosova.tv

