Thibaut Courtois ka folur për formën e mirë të Barcelonës, ndërsa në veçanti ka veçuar Raphinhën si një prej futbollistëve më të rëndësishëm në skuadrën e Hansi Flickut.
Portieri belg i Real Madridit, në një intervistë për Radioestadio të Onda Cero, pranoi se Barcelona po kalon një periudhë të mirë dhe se katalunasit po arrijnë të shënojnë me lehtësi.
“Po bëjnë shumë mirë. Është një ekip që shënon gola me shumë lehtësi”, deklaroi Courtois.
Megjithatë, vëmendjen e tij e mori Raphinha, për të cilin portieri madrilen ka një vlerësim të veçantë. Courtois e konsideron brazilianin një pjesë kyçe të skuadrës së Barcelonës dhe theksoi ndikimin që ai ka në paraqitjet e ekipit.
“Ai është një pjesë kyçe te Barça. Kur nuk ka qenë në dispozicion, mendoj se kanë vuajtur shumë, ndërsa kur është, ata po luajnë mirë”, u shpreh Courtois.
Belgu gjithashtu vlerësoi kontributin e Raphinhës, duke thënë se braziliani nuk merr gjithmonë meritat që i takojnë.
“Ai nuk merr gjithmonë njohjen që meriton, por është një pjesë kyçe e asaj skuadre dhe shënon shumë gola sepse është një lojtar i madh”, shtoi portieri i Real Madridit.
Fjalët e Courtois vijnë pak javë para El Clasicos së radhës. Real Madridi dhe Barcelona do të përballen më 25 tetor në “Spotify Camp Nou”, në një prej ndeshjeve më të shumëpritura të sezonit.
Dhe për portierin belg, Raphinha do të jetë një prej rreziqeve kryesore që madrilenët duhet ta neutralizojnë.
“Do të duhet ta ndalim atë pas një muaji”, përfundoi Courtois./Telegrafi/