Trajneri portugez Sérgio Conceição ka komentuar përplasjen mes Cristiano Ronaldos dhe përzgjedhësit të Portugalisë, Jorge Jesus, duke refuzuar të mbajë anën e njërit prej tyre.
Në një intervistë për podcastin “La Tripletta” të gazetës italiane “Gazzetta dello Sport”, ish-trajneri i Al-Ittihadit e cilësoi këtë çështje si të ndjeshme për futbollin portugez.
“Është një temë e ndjeshme në vendin tim. Cristiano është legjendë, një nga pesë futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave. Nga ana tjetër, Jesus është përzgjedhësi i kombëtares, një trajner i respektuar dhe me shumë përvojë. Sinqerisht, nuk më duket e drejtë të mbaj anën e njërit kundër tjetrit”, deklaroi Conceição.
Conceição zgjedh Figon para Ronaldos
Gjatë intervistës, portugezi u pyet edhe për krahun më të mirë të sulmit, mes tij dhe djalit të tij, Francisco Conceição, i cili luan te Juventusi. Me humor, ai fillimisht zgjodhi veten, por më pas përmendi Luís Figon.
I pyetur nëse Figo ishte më i mirë edhe se Ronaldo në atë pozitë, Conceição u përgjigj: “Kjo është një pyetje e vështirë. Por, nëse flasim për rolin e anësorit, ndoshta do ta zgjidhja Figon. Ai është vërtet një futbollist i jashtëzakonshëm”.
Conceição nuk e përjashton rikthimin në Itali
Ish-trajneri i Milanit, i cili drejtoi skuadrën italiane gjatë sezonit 2024/25, nuk e përjashtoi mundësinë e rikthimit në Serie A.
“Pse jo? Do të më pëlqente shumë. Në të kaluarën, përveç Milanit, kam pasur edhe mundësi të tjera”, përfundoi ai. /Zëri

