Në vazhdën e shumë problemeve me të cilat përballen qytetarët e Kosovës, problem shtesë përgjatë viteve të fundit është edhe çmimi i lartë i derivateve.
Çdo qytetarë përballet me çmime të larta në thuajse secilën sferë, por derivatet vazhdojnë të mbeten më të shtrenjtat.
Ngjashëm situata ka qenë edhe muajt e fundit kur pati edhe një ngritje ekstreme.
Por sipas të dhënave të fundit nafta ka pasur një rënie të vogël në çmim përgjatë ditëve të fundit.
Sot në vendin tonë qytetarët mund të furnizohen me çmim 1.76 cent për litër, ku thuhet se rënie pati nga 2.5 cent brenda 7 ditëve, raporton lajmi.net.
Benzina po shitet me çmim 1.39 cent për litër.
Edhe pse ministria kishte parashikuar që nëse çmimi vazhdon të jetë shumë i lartë të vendoset sërish çmimi tavan, por një gjë e tillë nuk është bërë.
E kërkesa e opozitës për largimin e akcizës as nuk është marrë parasysh.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka bërë të ditur se ka intensifikuar mbikëqyrjen e tregut të derivateve përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), me qëllim që ulja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare të reflektohet edhe te konsumatorët në Kosovë.
Sipas MINTI-t, gjatë dy ditëve të fundit janë shtuar aktivitetet inspektuese, ndërsa ministria është në komunikim të vazhdueshëm me Doganën e Kosovës për të marrë të dhëna ditore lidhur me çmimet e importit të derivateve.
Ministria ka bërë të ditur se, bazuar në të dhënat e pranuara nga Dogana, çmimi mesatar i naftës ka rënë gjatë 24 orëve nga 1.83 euro në 1.79 euro për litër, ndërsa benzina ka arritur çmimin mesatar prej 1.43 euro për litër.
Megjithatë, në tregun vendor nafta vazhdon të shitet rreth 1.78 euro për litër, çmim ky që vjen në një kohë kur në tregjet ndërkombëtare është shënuar rënie e çmimeve të naftës.
MINTI ka bërë të ditur se analizën e çmimeve e bazon në tri referenca kryesore: çmimin mesatar të furnizimit të ditës paraprake, çmimin mesatar të furnizimit të 10 milionë litrave të fundit të importuara dhe çmimin mesatar të shitjes në tregun vendor.
Sipas ministrisë, këto të dhëna përdoren për të vlerësuar nëse ndryshimet në tregjet ndërkombëtare po reflektohen në mënyrë të drejtë edhe në çmimet që paguajnë konsumatorët në Kosovë.
Në përgjigjen për lajmi.net, MINTI ka theksuar se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e konsumatorëve dhe parandalimin e çdo devijimi të pajustifikuar të çmimeve në raport me lëvizjet në tregjet ndërkombëtare.
“Inspektimet dhe monitorimi i tregut do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim që ndryshimet në çmimet e furnizimit të reflektohen në mënyrë të drejtë dhe në kohë edhe te konsumatorët e Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.
Rënia e çmimeve në tregjet globale ka rritur pritjet që edhe në Kosovë të ketë ulje të mëtejme të derivateve. Megjithatë, mbetet të shihet nëse kjo tendencë do të reflektohet në ditët në vijim me zbritje më të dukshme në pompat e derivateve, apo nëse çmimet do të vazhdojnë të mbeten afër nivelit aktual.
Ndryshe përgjatë muajve të kaluar e në vazhdimësi është kërkuar që në Kosovë të hiqe akciza e vendosur për naftë, në mënyrë që qytetarët ta kenë çmimin sado pak më të ulët në blerje.
Aktualisht në tregun tonë akciza fikse paguhet 36 centë për çdo litër naftë të importuar, kurse TVSH-ja aplikohet me normë standarde prej 18% mbi çmimin e importit të kombinuar me akcizën, çka në total taksa shkon në 63 cent për litër./Lajmi.net/

