Ylli i YouTube, IShowSpeed, ka tërhequr vëmendjen e miliona fansave pas një sfide të pazakontë me videolojën e shumëpritur GTA VI.
Ai ka arritur ta përfundojë lojën pas plot 52 orësh e 31 minutash transmetim të pandërprerë, pa bërë gjumë gjatë gjithë kësaj kohe.
Transmetuesi amerikan, emri i vërtetë i të cilit është Darren Watkins Jr., e nisi aventurën e tij virtuale menjëherë pas lansimit të GTA VI, më 19 nëntor. Përmes një transmetimi maratonë, ai arriti deri në përfundimin e historisë së lojës, duke u renditur ndër emrat e parë të njohur të platformës që e përmbyllën atë.
Interesant është fakti se kjo nuk ishte aspak sfida që kishte planifikuar fillimisht. Para publikimit, Speed kishte paralajmëruar se do të luante me orar të kufizuar, rreth 10 deri në 12 orë në ditë, ndërsa pjesën tjetër të kohës do ta shfrytëzonte për pushim jashtë kamerave.
Por, duket se përfshirja në lojë ia ndryshoi planet. Pas më shumë se 30 orësh, ai pranoi se e kishte të vështirë të shkëputej nga loja. Në vazhdim të transmetimit, YouTuberi bëri të ditur se nuk po përpiqej të nxitonte drejt fundit, por thjesht nuk po arrinte ta linte lojën për të pushuar.
Momenti më emocional erdhi në përfundim të aventurës, kur gjatë shfaqjes së titrave finale Speed nuk arriti t’i mbante lotët. I emocionuar nga përvoja, ai e cilësoi GTA VI si lojën më të mirë të të gjitha kohërave.

