Sot (1 tetor) ka hyrë në fuqi marrëveshja mes EFTA dhe Kosovës, që është marrëveshje për tregti të lirë, mes shteteve që janë të përfshira në këtë grup si Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni bashkë me shtetin më të ri në Evropë.
Kjo marrëveshje e nënshkruar në janar të vitit 2025, përfshin tregtinë e mallrave dhe shërbimeve, rregullat e origjinës, lehtësimin e tregtisë, barrierat teknike, masat sanitare dhe fitosanitare, pronësinë intelektuale, konkurrencën dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Padyshim, në një marrëveshje si kjo Kosova fiton shumë, pasi, do të bëhet krijimi i kushteve më të favorshme për eksportet drejt katër shteteve të EFTA-s.
Në rastin e Zvicrës, autoritetet zvicerane kanë bërë të ditur se eksportet aktuale zvicerane drejt Kosovës do të përfitojnë nga heqja e tarifave doganore, në disa raste pas periudhave kalimtare. Në të njëjtën kohë, marrëveshja përcakton koncesione dhe rregulla për produktet kosovare që synojnë tregjet e EFTA-s.
Në këtë marrëveshje, sidomos në Kosovë, rëndësi të veçantë i është dhënë tregti të Shërbimeve, pasi, sipas Ministrës së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila, Zvicra përbën rreth 20 për qind të eksporteve të shërbimeve të Kosovës, duke e bërë atë një partner të rëndësishëm për këtë sektor, transmeton Telegrafi.
Sa i përket ekonimisë, në planin afatmesëm, kjo marrëveshje mund të krijojë tri drejtime kryesore siç janë rritja dhe diversifikimi i eksporteve, zgjerimi i eksporteve të shërbimeve dhe forcimin e lidhjeve me investitorët dhe kompanitë e vendeve të EFTA-s.
EFTA e përshkruan marrëveshjen si një marrëveshje moderne të tregtisë së lirë, e cila përveç mallrave dhe shërbimeve përfshin edhe lehtësimin e tregtisë, pronësinë intelektuale, konkurrencën dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Për Kosovën, rëndësia e saj prandaj nuk qëndron vetëm te sa euro mund të kursehen në doganë, por te krijimi i një kornize më të qëndrueshme për të bërë biznes me katër ekonomi të zhvilluara evropiane.
Nëse kompanitë kosovare arrijnë t’i shfrytëzojnë këto kushte, marrëveshja mund të shërbejë si një kanal i ri për zgjerimin e eksporteve dhe integrimin e mëtejshëm të ekonomisë së Kosovës në tregjet evropiane. /Telegrafi/