Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, ka kritikuar paraqitjen e ministres së punëve të jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, në Këshillin e Sigurimit.
Në profilin e saj në “Facebook”, Çitaku ka shkruar se në atë tavolinë përfaqësohet vendi, jo vetvetja.
Sipas saj, në atë forum gjithmonë Kosova duhet të jetë e para.
“Në OKB nuk e përfaqëson vetveten. Aty, në atë tavolinë e përfaqëson vendin. Aty gjithmonë Kosova duhet të jetë e para”, ka shkruar Çitaku.
Profesori universitar, Milazim Krasniqi ka komentuar paraqitjen e ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla në Këshillin e Sigurisë në OKB.
Kritikohet paraqitja e Gërvallës në KS të OKB-së
Edhe profesori Milazim Krasniqi e ka kritikuar ministren Gërvalla.
Përmes një postimi në Facebook, ka thënë se asnjëherë nuk e ka komentuar Gërvallen, që sipas tij arsyeja ka qenë se është e bija e Jusuf Gërvallës.
Ai tutje ka thënë se deklarata e Gërvalles që ka deponuar dokumente në Gjykatën Speciale ka qenë dhe mbetet e turpshme, dhe sipas tij mbajtja në detyrë pas asaj deklarate ka qenë dhe është imorale.
Krasniqi ka pyetur se “si e mbron kauzën e Kosovës, nëse vetë ka deponuar dokumente kundër Kosovës?”, dhe sipas tij pasojat u panë në KS të OKB-së.
“Sa mbaj mend, asnjë fjalë nuk e kam thënë ndonjëherë për Donika Gërvallën, si ministre e jashtme. Arsyeja gjithmonë ka qenë: meqë është e bija e Jusuf Gërvallës, ta kursej. Por kjo është qasje e gabueshme. Populli ynë thotë: “prej Skenderit del beteri.” Deklarata e Donikës se ka deponuar dokumente në Gjykatën Speciale ka qenë dhe mbetet e turpshme. Mbajtja në detyrë pas asaj deklarate ka qenë dhe është imorale. Si e mbron kauzën e Kosovës, nëse vetë ka deponuar dokumente kundër Kosovës? Pasojat u panë në KS të OKB-së. Shumë më mirë ka qenë po ta bënte prezentimin ambasadori Blerim Reka.” – ka shkruar Krasniqi.
Gërvalla mohon se ka dërguar dëshmi në Hagë kundër Thaçit dhe Veselit
Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, duke iu kundërpërgjigjur ministrit serb të jashtëm Ivica Daçiq, mohoi se është përfshirë në mbledhje të dëshmive apo “diçkaje të tillë” në Hagë kundër ish-krerërve të UÇK-së të cilët po gjykohen për krime të pretenduara të luftës. Kjo pasi për një gjë të tillë Daçiq tha se Gërvalla ka mbledhur dëshmi kundër ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, dhe se është vetë ajo që ka kontribuar në akuzën ndaj tyre.
“Është e vërtetë, presidenti Thaçi për momentin është në Hagë ku me të të vërtetë shpresoj që do të tregojë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ai vet dhe të tjerët të akuzuar, të kenë argumentet e tyre për të treguar se ne jemi të pafajshëm ndaj akuzave. Nuk ia vlen as të jap një koment të vetëm për atë që ju theksuat për mua si dëshmitare ose si diçka në Hagë. Kjo thjesht nuk është e vërtetë. Ju këshilloj të lexoni më thellë se sa vetëm titujt. Kjo do të ishte sukses i madh”.
Daçiq e ka akuzuar ministren Gërvalla se ajo ka ndihmuar që të akuzohet Thaçi dhe Veseli për krime. Sipas tij Gërvalla ka mbledhur dëshmi nga familjarët e viktimave. Daçiq ka thënë se Gërvalla në vitin 2017 ka folur sa i përket krimeve të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.
“Unë dua të them që kurrsesi Serbia nuk ka të bëjë me çështjet federale të sigurisë, sepse atë kohë shërbimet i kanë pasur në dorë Sllovenia dhe Kroacia. Sa i përket arsyeve se pse babai juaj kishte pasur pozitë politike, më 1982 shumë para Millosheviqit e Daçiqit, ai sikurse separatistët tjerë avokonte për Kosovë të pavarur. Pra qëllimi ka qenë i kamotshëm për një Kosovë të pavarur, prandaj qoftë përmes ndërhyrjes amerikane ose qoftë konfliktit të armatosur, qëllimi ka qenë të arrihet kjo. Duart tuaja janë të përgjakura”.
“Më 2017 kini thënë se sa i përket krimeve të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit dhe anëtarëve të partive politike tuaja, vetëm ju rikujtoj se unë kam nënshkruar marrëveshje me zotin Thaçi. Ku janë ata tash? Pse s’jam akuzuar unë ose presidenti vuçiq? Ndërkohë që ju keni ndihmuar që të akuzohet Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli për krime. Sepse dëshmitë që keni mbledhur nga familjarë të viktimave, ju kanë dalë në ndihmë viktimat ndja Thaçit dhe Veselit” – ka thënë ai.