Ekzistojnë metoda të ndryshme që mund të përdoren për të parandaluar nxehjen e tepërt të pjesës së brendshme të makinës nga rrezet e diellit. Klubi gjerman i automobilizmit ADAC testoi shtatë automjete identike Dacia Duster për të parë se cilat masa mbrojtëse janë më efektive.
Përveç një automjeti standard pa pajisje shtesë, u përgatitën disa makina me mjete mbrojtëse kundër diellit. Në test u përfshi gjithashtu një automjet me xhama të errësuar, një me ngjyrë të bardhë të karrocerisë dhe një me ngjyrë të zezë. Pas më shumë se katër orësh qëndrimi nën diell të fortë, u mat temperatura brenda kabinës.
Në automjetin pa asnjë mbrojtje shtesë, temperatura në vendin e shoferit arriti në 53 gradë Celsius. Temperaturën më të ulët e kishte automjeti i mbuluar me mbulesë të jashtme (ceradë), ku u regjistruan rreth 43 gradë, pra rreth 10 gradë më pak.
Edhe automjeti me folie mbrojtëse të jashtme kundër diellit ishte dukshëm më i freskët, me temperaturë rreth 45 gradë Celsius.
Mbrojtësi reflektues i diellit i vendosur nga brenda xhamit të përparmë uli temperaturën në rreth 49 gradë, ndërsa një mbulesë e bardhë mbi panelin e instrumenteve solli temperaturë rreth 50 gradë. Këto metoda rezultuan më pak efektive.
Errësimi i xhamave të pasmë solli vetëm një ulje prej rreth dy gradësh në temperaturën e përgjithshme, por në ulëset e pasme u matën 48 gradë, krahasuar me 57 gradë në automjetin pa pajisje mbrojtëse.
Në përgjithësi, ADAC rekomandon përdorimin e mbrojtësve nga dielli, pasi ato mund të ndihmojnë në uljen e temperaturës së sipërfaqeve brenda veturës. Gjatë testimit, timonët dhe panelet e kontrollit arritën temperatura deri në 70 gradë Celsius.
Testi tregoi gjithashtu ndikimin e ngjyrës së karrocerisë. Në sipërfaqen e jashtme u matën dallime të mëdha: automjeti i zi arriti rreth 65 gradë Celsius, ndërsa ai i bardhë rreth 44 gradë.
Edhe brenda kabinës kishte ndryshim të dukshëm: Dacia Duster me ngjyrë të zezë u nxeh të paktën 5 gradë më shumë se automjeti me karroceri të bardhë.
Rezultati i testit tregon se mbulimi i jashtëm dhe ngjyrat e çelëta janë ndër mënyrat më efektive për të reduktuar nxehjen e makinës gjatë ditëve të nxehta të verës. /Telegrafi/
