KORREKT / SOT19 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Shëndet

Christiane Amanpour njofton se po largohet nga CNN pas 43 vitesh

Christiane Amanpour njofton se po largohet nga CNN pas 43 vitesh

Gazetarja e famshme e CNN, Christiane Amanpour, prezantuesja kryesore ndërkombëtare e rrjetit, njoftoi të hënën se do të largohet nga CNN qershorin e ardhshëm.

“Pas shumë muajsh mendimi dhe disa netësh pa gjumë, kam vendosur të ndahem nga CNN, partneri im për 43 vite fantastike!”, ka thënë Amanpour në një deklaratë.

Amanpour, 68 vjeçe, u shpreh se “pret me padurim projekte të reja interesante në të ardhmen dhe do të vazhdojë gjithmonë ta mbështesë CNN-in, duke ruajtur trashëgiminë e tij të gazetarisë së pavarur. Mbani mend: jini gjithmonë të vërtetë, jo neutralë”.

Amanpour, një emër i njohur në mbarë botën për guximin e saj si korrespondente e huaj, ka drejtuar që nga viti 2009 një emision intervistash që mban emrin e saj në CNN International, përcjell Telegrafi.

Në janar të vitit 2025, ajo e reduktoi angazhimin e saj, duke prezantuar vetëm disa ditë në javë.

Në janar të vitit 2027, emisioni do të kalojë në një herë në javë, deri në përfundimin e tij në muajin maj.

Ajo do të vazhdojë të raportojë dhe të udhëtojë nëpër botë për CNN deri në fund të qershorit.

Drejtuesi i CNN, Mark Thompson, e bëri të ditur vendimin e Amanpour përmes një njoftimi drejtuar kolegëve mëngjesin e së hënës.

“Christiane e ka menduar thellë këtë vendim; ne kemi diskutuar për të prej disa muajsh”, shkroi Thompson.

“Ashtu si shumë kolegë të CNN që do ta marrin vesh lajmin sot, më vjen shumë keq që ajo largohet, por e kuptoj se ky është momenti i duhur për të, si në planin personal, ashtu edhe në atë profesional”.

Thompson e përshkroi atë si “një nga gazetaret më të besuara dhe më të dashura kudo” dhe shtoi se rrjeti do të gjejë kohën për ta nderuar atë “para se të largohet vitin e ardhshëm”.

Në deklaratën e saj, Amanpour shprehu dëshirën për të falënderuar “të gjithë njerëzit jashtëzakonisht të talentuar me të cilët kam punuar gjatë këtij rrugëtimi të jashtëzakonshëm. Veçanërisht ekipet e mia të dashura të emisionit dhe ekipet në terren”.

“Që nga detyra ime e parë e madhe dhe emocionuese, mbulimi i Luftës së Parë të Gjirit, e deri te tmerret e Luftës në Bosnjë, Ruandës, Afganistanit, Ukrainës e Iranit – si dhe gjithçka tjetër ndërmjet tyre – ajo që ka pasur vërtet rëndësi kanë qenë ekipet dhe fryma e shoqërisë”, tha ajo.

“Ne luftuam së bashku për të gjetur faktet, provat dhe njerëzoren, në mënyrë që CNN të mundte gjithmonë të transmetonte të vërtetën për botën dhe drejt botës, pa frikë e pa anësi”. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.