Udhëheqësi i Kinës përmendi historianin e lashtë grek Tukididin, gjatë takimit me presidentin amerikan në Pekin.
Nga: Kate Lamb / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Një luftë kaotike në Lindjen e Mesme. Tensione në Tajvan. Kur udhëheqësit e dy superfuqive botërore u takuan këtë javë në Pekin, këto ishin pikat e nxehta për të cilat të gjithë prisnin që ata të flisnin.
Por, në vend të kësaj, udhëheqësi kinez Xi Jinping solli në vëmendje një tjetër luftë – një luftë të lashtë.
Në fjalën e tij hyrëse, të enjten, Xi iu referua Luftës së Peloponezit në Greqinë e lashtë – një konflikt shumëvjeçar që shpërtheu midis Athinës dhe Spartës në vitin 431 p.e.s.
Në një paralajmërim ndaj rivalitetit hegjemoniak, Xi pyeti:
“A mund ta kapërcejnë Kina dhe Shtetet e Bashkuara të ashtuquajturin ‘Kurthi i Tukididit’ dhe të krijojnë një paradigmë të re të marrëdhënieve midis fuqive të mëdha?”
Çfarë është Kurthi i Tukididit?
Një koncept i përdorur shpeshherë në komentet e politikës së jashtme, përfshirë edhe ish-strategun kryesor të Trumpit, Steve Bannon, Kurthi i Tukididit i referohet idesë se, kur një fuqi në ngritje kërcënon të zëvendësojë një fuqi të etabluar, rezultati shpeshherë është lufta.
“Ishte ngritja e Athinës dhe frika që kjo ngjalli te Sparta ajo që e bëri luftën të pashmangshme”, shkroi Tukididi në librin e tij Historia e Luftës së Peloponezit.
Ashtu siç Athina dikur luftoi me Spartën, nënkuptimi është se ngritja e Kinës shkakton ankth dhe mundësi konflikti me Shtetet e Bashkuara.
Vëzhguesit kanë vënë re se Xi e përdor këtë term prej vitesh, por përdorimi i kësaj reference klasike gjatë vizitës së Trumpit mund të ketë qenë paralajmërim për qëndrimin e tij lidhur me Tajvanin.
Më vonë, udhëheqësi kinez paralajmëroi Trumpin se çdo hap i gabuar lidhur me Tajvanin mund t’i shtynte dy vendet drejt “konfliktit”.
“Çështja e Tajvanit është çështja më e rëndësishme në marrëdhëniet Kinë-ShBA”, tha Xi për ishullin vetëqeverisës që Kina e konsideron si pjesë të saj.
“Nëse menaxhohet gabim, të dy kombet mund të përplasen ose madje të hyjnë në konflikt, duke e shtyrë gjithë marrëdhënien Kinë-ShBA në një situatë tepër të rrezikshme”, shtoi ai.
Por, në një banket shtetëror në mbrëmje, udhëheqësi kinez përdori një ton më pajtues, duke këmbëngulur se ShBA-ja dhe Kina mund ta menaxhojnë fërkimin që duket i pashmangshëm.
“Arritja e përtëritjes së madhe të kombit kinez dhe rikthimi i madhështisë së Amerikës mund të ecin plotësisht krah për krah … dhe të çojnë përpara mirëqenien e gjithë botës”, tha Xi.
Duke reaguar në rrjetet sociale, Trump tha se Xi “iu referua me shumë elegancë Shteteve të Bashkuara si ndoshta një komb në rënie”.
Por, sigurisht, kjo nuk ishte një referencë ndaj ShBA-së nën drejtimin e tij, tha Trumpi.
“Dy vjet më parë ne ishim, në fakt, një komb në rënie”, shkroi Trumpi në rrjetet sociale, herët të premten.
“Tani, Shtetet e Bashkuara janë kombi më i fuqishëm dhe më tërheqës kudo në botë, dhe shpresojmë që marrëdhënia jonë me Kinën të jetë më e fortë dhe më e mirë se kurrë më parë!” /Telegrafi/