Trajneri portugez Ruben Amorim është gati të bëhet trajneri i ri i Milanit dhe po pret vetëm miratimin përfundimtar të klubit për të finalizuar marrëveshjen, sipas gazetarit të njohur Fabrizio Romano.
Ish-trajneri i Manchester United ka dalë si kandidati kryesor për të zëvendësuar Massimiliano Allegrin, pas një sezoni zhgënjyes të Milanit në edicionin 2025/26.
Sipas Romanos, Amorim ka pranuar të gjitha kushtet e diskutuara me drejtuesit e klubit dhe është i gatshëm të nisë aventurën e re në stolin e “Rossonerëve” në stadiumin “San Siro”.
Raportime të mëhershme nga mediat portugeze dhe italiane, përfshirë A Bola dhe Corriere dello Sport, kanë bërë të ditur se Milani i ka ofruar teknikut 41-vjeçar një kontratë dyvjeçare me vlerë mbi 3 milionë euro në sezon.
Gjatë procesit të kërkimit për trajnerin e ri, drejtuesit e Milanit kanë zhvilluar bisedime edhe me Oliver Glasner dhe Mauricio Pochettino, por Amorim tashmë konsiderohet zgjedhja e parë e klubit italian.
Portugezi është pa skuadër që nga janari i vitit 2026, kur u shkarkua nga Manchester United pas 14 muajsh në krye të ekipit anglez.
Milani e mbylli sezonin 2025/26 jashtë zonës që siguron kualifikimin në Ligën e Kampionëve, çka ka nxitur ndryshime të mëdha në strukturën drejtuese të klubit dhe në projektin sportiv për sezonin e ardhshëm. /Telegrafi/
