Supermodelet e Victoria’s Secret, Candice Swanepoel dhe Joan Smalls, kanë nxitur spekulime për një krisje të mundshme të miqësisë së tyre, pasi fansat vunë re se ato nuk e ndjekin më njëra-tjetrën në Instagram.
Sipas raportimeve të medieve të huaja, dyshimet u shtuan pasi në rrjet qarkulloi një koment që i atribuohet Smalls, në të cilin ajo thuhet se shprehej se nuk mund të ishte shoqe me njerëz që sulmojnë pas shpine.
Komenti, i cili më pas u fshi, dyshohet se përmbante edhe kritika për mungesën e respektit dhe thyerjen e besimit pas 15 vitesh miqësi, shkruan DailyMail.
Megjithatë, asnjëra prej modeleve nuk e ka konfirmuar publikisht arsyen e përfolur të përplasjes.
Sipas Daily Mail, të dyja morën pjesë në sfilatën e Victoria’s Secret për vitin 2026, por nuk u publikuan fotografi ku shfaqeshin duke bashkëvepruar.
Vitin e kaluar, ato kishin bashkëpunuar në një fushatë për markën Anne Klein, ku Smalls e kishte përshkruar Swanepoel si shoqen e saj më të mirë.
Miqësia e tyre kishte zgjatur më shumë se një dekadë. Dy modelet kishin marrë pjesë së bashku në evente të rëndësishme të modës dhe kishin kaluar edhe pushime me njëra-tjetrën, duke krijuar imazhin e një prej miqësive të njohura në botën e supermodeleve.
Deri tani, mbetet e paqartë nëse bëhet fjalë për një konflikt të vërtetë apo për spekulime të nxitura nga aktiviteti i tyre në rrjetet sociale.
Përfaqësuesit e të dyjave janë kontaktuar për koment, por nuk raportohet të ketë një reagim zyrtar. /Telegrafi/

