Më 15 tetor, në Tiranë, mbahet edicioni i parë i Business Reset – një konferencë e ndërtuar si ditë pune, jo si event protokollar. E hapur për vendimmarrës, sipërmarrës dhe drejtues nga Shqipëria dhe Kosova, ajo synon të nxjerrë pjesëmarrësit nga salla me plane konkrete, jo me fotografi.
Skema e eventeve të biznesit në rajon njihet mirë: salla e hotelit, tre rreshtat e parë të rezervuar për protokollin, moderatori që lexon biografitë, ministri që flet i pari dhe largohet i pari. Pastaj paneli – katër folës, katër pyetje, dhjetë minuta secili – dhe një sallë që në minutën e njëzetë ka nxjerrë telefonat. Fotot dalin mirë, postimi merr pëlqime, por të hënën askush nuk ka ndryshuar asgjë në biznesin e vet.
Organizatorët e Business Reset thonë se problemi nuk janë temat, por formati. Prandaj e kanë ndërtuar konferencën rreth një ideje të vetme: një ditë për rifreskim, rishikim, ristrukturim dhe rinisje – një “reset” që merret me vete në punën e përditshme.
Tri shtyllat tematike
Programi është organizuar rreth tri shtyllave kryesore të strukturës së një biznesi:
- Teknologjia dhe inovacioni
- Marketing dhe media
- Burimet njerëzore dhe arkitektura e HR-së
Ndryshe nga eventet ku diskutimi qëndron në nivel makro – çfarë po ndodh në botë dhe ku qëndron rajoni – Business Reset premton bisedë konkrete: çfarë ofrojnë realisht bizneset vendase, për çfarë kanë nevojë dhe ku mund ta gjejnë. Pjesëmarrësit do të kenë mundësi të auditojnë nivelin ku ndodhet biznesi i tyre dhe çfarë u duhet për hapin e radhës.
Si do të duket 15 tetori
09:00–13:00 – Në sallën kryesore ngjiten folës nga industritë e teknologjisë, marketingut e medias dhe burimeve njerëzore.
Paralelisht – Në hapësirën jashtë sallës zhvillohet Live-Demo-Experience Zone, ku bizneset prezantojnë produktet dhe shërbimet e tyre përmes stendave dhe këndeve të branduara. Kjo është edhe koha e rezervuar për biseda mbi bashkëpunime konkrete.
Pjesa e dytë e ditës – Nëntë seminare me drejtues nga fusha të ndryshme, të fokusuara në aftësi praktike dhe në ndërtimin e planeve konkrete.
Mbrëmja – Dita mbyllet me një festë, si hapësirë për networking në një atmosferë më të lirshme.
Folësit dhe partnerët
Deri tani janë konfirmuar Gentian Gjiknuri (String), Fisnik Ismaili (Karrota), Yiannis Dimos (Le Spot Group), Dalina Gjicali (EPPC), si dhe Toby Lee nga The Predictive Index, i cili vjen personalisht në Tiranë.
String Albania – Odoo Silver Partner është konfirmuar si Gold Partner i konferencës.
Në sallë pritet të jenë vendimmarrës, sipërmarrës, drejtues të nivelit C-suite, drejtues të burimeve njerëzore dhe të marketingut, ekspertë nga kompani të mesme dhe të mëdha, brande ndërkombëtare me prezencë lokale dhe ndërmarrje të vogla e të mesme nga Shqipëria dhe Kosova.
Pse në tetor
Logjika e datës është e qëllimshme. Një konferencë që mbahet në mars flet për një vit që ka nisur tashmë; një konferencë në tetor flet për një vit që ende mund të ndryshohet. Vjeshta, sipas organizatorëve, është momenti kur vendimet e mëdha merren – dhe Business Reset synon të jetë vendi ku merren.
Konferenca është menduar si event vjetor, me ambicien për t’u bërë momenti kur tregu ndalon një ditë, shikon veten me sinqeritet dhe rinis me plan. Matësi i suksesit, thonë organizatorët, nuk do të jenë pëlqimet në rrjete sociale, por numri i bashkëpunimeve që nisin në sallë dhe mbijetojnë tre muaj më vonë.
Biletat dhe kontakti
Biletat janë në shitje në faqen zyrtare: businessreset.al
Të interesuarit për të qenë folës mund të dërgojnë një short-bio dhe temën në info@ozmarketing.com.al.
Për mbështetje të konferencës dhe mundësi vizibiliteti për brendet: info@ozmarketing.com.al ose 0675066312.