Në konferencën për shtyp para ndeshjes të së premtes, Bukayo Saka shprehu entuziazmin e tij për finalen e Ligës së Kampionëve kundër PSG-së, duke parë përpara sfidën e përballjes me kampionët në fuqi të Evropës.
Arsenali do të luajë sonte (e shtunë) ndaj Paris Saint-Germain në finalen e Ligës së Kampionëve, e cila pritet të zhvillohet në “Puskas Arena” të Budapestit nga ora 18:00.
Për këtë ndeshje, Topçinjtë janë përgatitur maksimalisht dhe njëri nga yjet më të mëdha të skuadrës, Saka ka besim se skuadra mund ta fitojë trofeun e parë të Ligës së Kampionëve në histori të klubit.
“Fitimi i Ligës Premier dhe Ligës së Kampionëve me Arsenalin më dukej si një ëndërr e largët kur isha shtatë ose tetë vjeç… nesër (sot), mezi pres të shkruaj një faqe të re historie për klubin tim”, ka thënë fillimisht Saka në konferencë.
“Mentaliteti i ekipit? Mendoj se jemi një skuadër shumë e lidhur, shkojmë jashtëzakonisht mirë me njëri-tjetrin dhe jemi gati të luftojmë për njëri-tjetrin”.
“Ky është një aset i madh në Ligën Premier, dhe shpresoj se do të jetë kështu edhe kundër PSG-së”, përfundoi ylli anglez. /Telegrafi/
