KORREKT / SOT22 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Bota

Brukseli qorton Beogradin që u jep shtetësi rusëve me procedurë të përshpejtuar

Brukseli qorton Beogradin që u jep shtetësi rusëve me procedurë të përshpejtuar

Bashkimi Evropian (BE) u bën thirrje autoriteteve në Serbi që t’i japin fund praktikës së dhënies së shtetësisë përmes procedurave të përshpejtuara ose të thjeshtuara për shtetasit e vendeve që paraqesin rrezik për migrim të paligjshëm ose rrezik për sigurinë e BE-së, përfshirë Rusinë.

Kështu deklaroi për REL një zëdhënës i Komisionit Evropian (KE), duke komentuar vizitën e fundit në Rusi të ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq. Ai rikujtoi se çështja e dhënies së shtetësisë është në kompetencë të Ministrisë së Brendshme.

Sipas këtij zyrtari, BE-ja është në dijeni të vizitës zyrtare të Daçiqit në Moskë javën e kaluar, gjatë së cilës ai paralajmëroi vazhdimin e bashkëpunimit intensiv mes ministrive të Brendshme të dy vendeve.

Vizita u zhvillua vetëm një javë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Serbi. Daçiq theksoi se ajo ishte planifikuar për në mars, por ishte shtyrë për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

Zëdhënësi i KE-së theksoi se qëndrimi i Brukselit ndaj partnerëve, përfshirë vendet kandidate si Serbia, ka qenë gjithmonë i qartë.

“Marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të jenë si zakonisht, as me regjimin e [presidentit rus, Vladimir] Putinit dhe as në dritën e luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, luftës së paprovokuar dhe të pajustifikuar”, tha ai.

Zëdhënësi deklaroi se Brukseli dëshiron ta konsiderojë Serbinë një partnere të besueshme evropiane sa u përket parimeve, vlerave, sigurisë dhe prosperitetit të përbashkët, duke shtuar se Serbia duhet ta bindë BE-në për orientimin e saj strategjik.

“Prandaj, Serbia duhet t’i shtojë si prioritet përpjekjet për t’u përafruar gradualisht me qëndrimet e politikës së përbashkët të jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë”, tha zëdhënësi i KE-së.

Sipas tij, Serbia duhet gjithashtu të përmbahet nga veprimet dhe deklaratat që bien ndesh me qëndrimin e BE-së në politikën e jashtme.

Më herët gjatë ditës, për marrëdhëniet mes BE-së dhe Serbisë foli edhe zëdhënësi i KE-së për zgjerimin, Guillaume Mercier. Në konferencën e rregullt për media, Mercier theksoi se përparimi në rrugën evropiane kërkon “përkushtim vërtet të besueshëm, të dëshmuar me veprime konkrete”, si dhe që Brukseli duhet të shohë përparim në reforma.

“Ajo që mund të them është se ne mbetemi plotësisht të përkushtuar ndaj përparimit të Serbisë në rrugën e saj evropiane. Prandaj, duhet ta vazhdojmë këtë angazhim konstruktiv dhe do të bëjmë gjithçka që Serbia të përparojë. Siç thashë, është e rëndësishme që Serbia të ndërmarrë hapa në një sërë fushash për ta përshpejtuar rrugën e saj evropiane”, deklaroi Mercier.

Negociatat e anëtarësimit të Serbisë në BE janë kanë ngecur prej gati pesë vjetësh. Serbia hapi grupkapitullin e fundit në negociatat e anëtarësimit në dhjetor të vitit 2021. Dy muaj më vonë, Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, ndërsa Serbia refuzoi t’u bashkohej sanksioneve që BE-ja vendosi ndaj Kremlinit. Kjo ishte arsyeja kryesore e ngecjes së saj në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Ndërkohë, gjendja e sundimit të ligjit është përkeqësuar, duke i vështirësuar edhe më shumë përpjekjet e Serbisë për të dalë nga ngërçi shumëvjeçar.

Dikur një nga vendet kryesuese në procesin e anëtarësimit, Serbia gradualisht e ka humbur vendin në rrugën e integrimit evropian krahasuar me vendet e tjera. Mali i Zi është aktualisht vendi që ka më shumë gjasa të bëhet anëtari i ardhshëm i BE-së, i ndjekur nga Shqipëria.

Përpjekja e fundit serioze për ta nxjerrë Serbinë nga ngërçi u shënua në korrik. Në atë kohë, një pjesë e shteteve anëtare konsideronte se Serbisë duhej t’i mundësohej hapja e Grupkapitullit 3, por nuk u arrit konsensusi i nevojshëm. Sipas informacioneve të REL-it nga burime diplomatike, shtetet që mbështesnin vazhdimin e rrugës evropiane të Beogradit hoqën dorë nga këto përpjekje në shtator. Kjo ndodhi pas ngjarjeve të lidhura me vdekjen dhe varrimin e Ratko Mlladiq, i dënuar për krime lufte.

Në Serbi, të dielën, më 25 tetor, mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Bashkimi Evropian, dikur një synim strategjik i vendit, pothuajse është zhdukur nga fushata zgjedhore. Vetëm lista “Evropa Serbi” e ka ndërtuar fushatën mbi anëtarësimin në BE dhe sanksionet ndaj Rusisë, ndërsa “Serbia e Bashkuar”, lista e partisë në pushtet, dhe Lista Studentore kryesisht e shmangin këtë temë. Listat e djathta euroskeptike e kundërshtojnë hapur anëtarësimin, ndërsa shumica e listave garuese, përfshirë edhe studentët që protestojnë, kundërshtojnë sanksionet ndaj Rusisë./Radio Evropa e Lirë/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.