Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) është vlerësuar me çmimin prestigjioz “High Impact Policy Action Award” në kuadër të Forumit Global të WE Finance Code, mbajtur në Paris, me pjesëmarrjen e institucioneve dhe bankave qendrore. Ky vlerësim ndërkombëtar konfirmon angazhimin dhe rezultatet konkrete të BQK-së në avancimin e qasjes së grave ndërmarrëse në financim dhe në fuqizimin e politikëbërjes së bazuar në të dhëna.

Çmimi i është ndarë BQK-së për ndërmarrjen e veprimeve me ndikim të lartë në zbatimin e iniciativës WE Finance Code, veçanërisht për përmirësimin e cilësisë, disponueshmërisë dhe përdorimit të të dhënave mbi financimin e grave ndërmarrëse. Këto rezultate krijojnë mundësi më të mëdha për identifikimin e pengesave, orientimin e masave mbështetëse dhe zhvillimin e produkteve financiare që u përgjigjen më mirë nevojave të grave në biznes.
Një nga arritjet kryesore në kuadër të kësaj iniciative është zhvillimi i Dashboardit të WE Finance Code [https://bqk-kos.org/wefinance/] nga BQK-ja. Kjo platformë interaktive paraqet të dhëna të agreguara mbi financimin e grave ndërmarrëse në Kosovë dhe mundëson analizimin e tyre sipas gjinisë, madhësisë së ndërmarrjes dhe komunës. Përmes këtij instrumenti, BQK po fuqizon transparencën, monitorimin e zhvillimeve dhe hartimin e politikave më të sakta, të matshme dhe efektive.
Si bartëse e rolit udhëheqës në zbatimin e WE Finance Code në Kosovë, BQK ka nxitur bashkëpunimin ndërmjet institucioneve publike, sektorit financiar dhe partnerëve të tjerë. Ky angazhim i përbashkët po i shndërron të dhënat cilësore në veprime konkrete, duke mbështetur zhvillimin e zgjidhjeve financiare, forcimin e kapaciteteve dhe zgjerimin e aktiviteteve të edukimit financiar për gratë ndërmarrëse.

Vlerësimi në Forumin Global të WE Finance Code është një njohje e rëndësishme për punën e BQK-së dhe të të gjithë partnerëve vendorë e ndërkombëtarë të përfshirë në këtë proces, duke dëshmuar se qasja e koordinuar, përdorimi strategjik i të dhënave dhe orientimi drejt rezultateve mund të krijojnë ndryshime të qëndrueshme në përfshirjen financiare dhe në fuqizimin ekonomik të grave.
Forumi bashkon institucione publike, institucione financiare dhe organizata ndërkombëtare nga vende të ndryshme për shkëmbimin e praktikave të suksesshme dhe avancimin e politikave që lehtësojnë qasjen e grave në financim. Prania në panel të diskutimit, dhe vlerësimi i BQK-së në këtë forum e afirmojnë Kosovën si kontribuuese aktive në përpjekjet globale për një sistem financiar më gjithëpërfshirës.
BQK do të vazhdojë të avancojë këtë model, të zgjerojë përdorimin e të dhënave në vendimmarrje dhe të promovojë partneritete që krijojnë më shumë mundësi për gratë ndërmarrëse. Përmes politikave të orientuara drejt ndikimit, transparencës dhe inovacionit, BQK mbetet e përkushtuar ndaj zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe rritjes së qasjes së barabartë në shërbime financiare në Republikën e Kosovës, në linjë me objektivat e Planit Strategjik.