Përmes analizës teorike dhe reflektimit kritik, libri ndriçon sfidat e komunikimit politik në një kohë kur mediat digjitale, rrjetet sociale dhe dezinformimi po e ndryshojnë debatin publik
Një botim i ri me titull: “Arkitektura e bindjes: Komunikimi politik nga Agora te demokracia digjitale” i Prof.dr. Demush Bajramit, dedikuar komunikimit politik në epokën digjitale është tashmë në qarkullim, duke synuar të ndihmojë lexuesit ta kuptojnë më mirë botën komplekse të informacionit dhe mediave të reja.
Libri eksploron transformimin e sferës publike, ndikimin e rrjeteve sociale dhe sfidat që burojnë nga dezinformimi dhe lajmet e rreme (“fake news”), duke ofruar një kombinim të analizës teorike dhe reflektimit kritik. Në fokus është roli i qytetarit si aktor aktiv në ndërtimin e diskursit publik.
Në këtë kuadër, libri nxjerr në pah evolucionin historik të komunikimit politik, transformimin e sferës publike në epokën digjitale, rolin e mediave sociale në proceset politike, si dhe sfidat që lidhen me dezinformimin, lajmet e rreme, manipulimin e informacionit dhe polarizimin e debatit publik. Përmes një qasjeje teorike dhe analitike, autori synon të kontribuojë në të kuptuarit e marrëdhënies gjithnjë e më komplekse midis mediave digjitale, komunikimit politik dhe funksionimit të demokracisë në shoqëritë bashkëkohore.
Recensuesit Prof. dr. Zamir Dika dhe Prof. dr. Bujar Hoxha, e cilësojnë librin si një kontribut të vlefshëm për studentët dhe profesionistët e fushës, ndërsa redaktori Dr.sc. Admir Qose, ka siguruar një strukturë të qartë dhe të qasshme për lexuesin. Botimi është realizuar nga Universiteti i Evropës Juglindore.
Ky libër synon të shërbejë si një udhërrëfyes praktik dhe intelektual për këdo që kërkon të kuptojë dhe të navigojë në realitetin e ri komunikues të shekullit XXI. /Telegrafi/