Kompania italiane Riverti Automobili ka prezantuar projektin e saj të bazuar në BMW M2, të cilit i ka ndryshuar tërësisht karrocerinë për t’i dhënë pamjen e legjendarit BMW 3.0 CSL të viteve ’70.
BMW 3.0 CSL është një nga modelet më të njohura në historinë e markës gjermane. I bazuar në modelin 3.0 CSi, CSL ishte një version i lehtë i homologuar për gara dhe u krijua për të garuar në pistat e Evropës. Për shkak të pjesës së përparme agresive dhe spoilerit të madh të pasmë, vetura mori nofkën “Batmobile”.
Riverti Automobili synon ta rikthejë këtë dizajn, duke kombinuar pamjen e modelit klasik me bazën moderne teknike të BMW M2. Pamjet e para tregojnë një pjesë të përparme me katër fenerë të rrumbullakët, formë të theksuar në stilin “hundë peshkaqeni”, parafango të zgjeruar dhe spoilerë të mëdhenj.
Në pjesën e pasme vërehet një spoiler i vendosur mbi kapakun e bagazhit, ndërsa elemente të tjera të dizajnit janë frymëzuar drejtpërdrejt nga automjetet garuese të BMW-së të viteve ’70. Kompania ka përdorur gjithashtu elemente prej fibrash karboni për karrocerinë e zgjeruar.
Riverti ende nuk e ka bërë të ditur emrin e projektit, ndërsa nuk ka publikuar detaje për fuqinë, peshën, numrin e ekzemplarëve apo çmimin. Kompania e përshkruan projektin si një veturë retro të ndërtuar mbi një bazë moderne, dhe jo si një “restomod”, pra jo një automjet të vjetër të restauruar dhe të pajisur me teknologji moderne.
Nëse ruhet motori i BMW M2, bëhet fjalë për një motor 3.0-litërsh me gjashtë cilindra në linjë dhe dy turbo. Versioni aktual zhvillon 480 kuaj fuqi, ndërsa M2 CS arrin deri në 530 kuaj fuqi.
BMW vetë kishte krijuar në vitin 2023 një version modern të 3.0 CSL, të bazuar në M4 dhe të kufizuar në vetëm 50 ekzemplarë. Projekti i Riverti-t ndjek një qasje tjetër, duke përdorur M2-në më kompakte si bazë për të rikrijuar pamjen e ikonës së viteve ’70. /Telegrafi/