Çmimet e pronave të banimit në Zvicër kanë vazhduar të rriten edhe gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026, duke e bërë më të shtrenjtë blerjen e një shtëpie apo banese.
Sipas të dhënave të Zyrës Federale të Statistikave të Zvicrës, çmimet e pronave u rritën për 1,7% nga korriku deri në shtator, krahasuar me tremujorin paraprak. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, rritja arriti në 4,4%.
Çmimet e shtëpive individuale u rritën për 2,1% brenda tremujorit, ndërsa ato të banesave në pronësi individuale shënuan rritje prej 1,3%.
Rritja më e madhe u regjistrua në komunat urbane të aglomeracioneve të vogla ose jashtë aglomeracioneve, ku çmimet u rritën për 3,4%, shkruan Swissinfo, transmeton Telegrafi.
Në anën tjetër, rritja më e ulët, prej 0,6%, u shënua në komunat e ndërmjetme, të cilat kanë karakteristika si urbane, ashtu edhe rurale.
Në krahasim me një vit më parë, çmimet e shtëpive individuale u rritën për 3,3%, ndërsa ato të banesave në pronësi individuale u shtrenjtuan për 5,4%.
Indeksi zviceran i çmimeve të pronave të banimit, i publikuar çdo tremujor që nga viti 2020, bazohet në rreth 7.000 transaksione mesatarisht nga rajone të ndryshme të vendit.
Të dhënat sigurohen nga 28 institucionet më të mëdha hipotekare në Zvicër, të cilat mbulojnë një pjesë të konsiderueshme të tregut të financimit të pronave./Telegrafi/

