Në një kohë kur zhvillimi ekonomik po lidhet gjithnjë e më shumë me teknologjinë, efikasitetin energjetik dhe mbrojtjen e mjedisit, tregu i punës në Kosovë po përballet me një sfidë të dyfishtë: mungesën e profesionistëve të specializuar dhe mospërputhjen ndërmjet përgatitjes arsimore dhe kërkesave të bizneseve.
Arkitektë të specializuar në ndërtesa me konsum të ulët energjetik, inxhinierë që përdorin simulime digjitale, teknikë të sistemeve fotovoltaike dhe profesionistë të teknologjive të reja janë ndër profilet që mund të luajnë rol të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë së gjelbër në Kosovë. Megjithatë, bizneset po përballen me vështirësi për të gjetur punonjës që krahas diplomës, zotërojnë aftësitë praktike të nevojshme për këto profesione.
Kjo situatë bëhet edhe më e dukshme kur krahasohet me potencialin e pashfrytëzuar të fuqisë punëtore.
Sipas raportit të Institutit GAP, Emigrimi dhe tregu i punës në Kosovë: Potenciali i papërdorur i fuqisë punëtore joaktive, të publikuar në prill 2025, rreth 613 mijë persona, apo 57 për qind e popullsisë në moshë pune, ishin ekonomikisht joaktivë, bazuar në të dhënat e vitit 2024. Prej tyre, 66 për qind ishin gra.
Ndërkohë, kompanitë që synojnë të zhvillojnë produkte dhe shërbime inovative po kërkojnë kompetenca gjithnjë e më specifike.
Burimi: Instituti GAP
Burimi: Instituti GAP
Spectra: Kemi nevojë për arkitektë dhe inxhinierë të specializuar në ndërtesa të qëndrueshme
Një shembull konkret i kësaj sfide vjen nga kompania Spectra, e cila integron parimet e qëndrueshmërisë dhe inovacionit në projektet arkitekturore.
Kompania zbaton zgjidhje që synojnë reduktimin e ndikimit mjedisor të ndërtesave gjatë gjithë ciklit të tyre jetësor, duke përfshirë përdorimin e materialeve të qëndrueshme, ekonominë qarkore, dizajnin modular dhe efikasitetin energjetik.
Pjesë e qasjes së saj janë edhe parimet Passivhaus, të cilat përfshijnë orientimin optimal të ndërtesave, shfrytëzimin e ndriçimit natyror, kontrollin e fitimeve diellore dhe minimizimin e humbjeve termike.
Për realizimin e këtyre projekteve, kompania përdor mjete digjitale për modelim, analiza dhe simulime, me qëllim optimizimin e zgjidhjeve projektuese.
Por zbatimi i këtyre teknologjive kërkon profesionistë me njohuri të specializuara, të cilët nuk është gjithmonë e lehtë të gjenden në tregun vendor.
“Vështirësitë më të mëdha i hasim në gjetjen e arkitektëve dhe inxhinierëve me profilizim të specializuar në performancën energjetike të ndërtesave dhe projektimin e qëndrueshëm”, thonë nga Spectra për Telegrafin.
Sipas kompanisë, nevojiten profesionistë që dinë të përdorin softuerë për kalkulimin dhe modelimin e performancës energjetike, të realizojnë simulime termike dhe analiza të ndriçimit natyror, si dhe të projektojnë ndërtesa sipas standardeve të konsumit të ulët energjetik.
Megjithatë, problemi nuk lidhet vetëm me numrin e të diplomuarve.
“Problemi kryesor nuk është domosdoshmërisht mungesa e profesionistëve të diplomuar, por mungesa e kandidatëve që kombinojnë njohuritë teorike me aftësitë praktike dhe kompetencat e specializuara digjitale”, theksojnë nga kompania.
Kjo tregon se zhvillimi i inovacionit të gjelbër nuk varet vetëm nga investimet në teknologji, por edhe nga aftësia e tregut të punës për të siguruar profesionistë që mund ta zbatojnë atë.
Gjashtë muaj trajnim për një punonjës të ri
Një nga pasojat e mospërputhjes ndërmjet arsimit dhe kërkesave të industrisë është nevoja që kompanitë të investojnë vetë në aftësimin e punonjësve.
Spectra tregon se kandidatëve shpesh u mungojnë njohuritë praktike për materialet ndërtimore, sistemet konstruktive, detajet teknike dhe standardet e ndërtimit të qëndrueshëm.
Mangësi vërehen edhe në aftësitë për menaxhimin e kohës dhe organizimin e detyrave. Sipas kompanisë, përgatitja e një punonjësi të ri kërkon një periudhë të konsiderueshme trajnimi.
“Bazuar në përvojën tonë, një punonjësi të ri zakonisht i nevojiten së paku 6 muaj trajnim dhe përshtatje praktike për të arritur nivelin e nevojshëm të kompetencës dhe pavarësisë në kryerjen e detyrave profesionale”, thonë nga Spectra për Telegrafin.
Gjatë kësaj periudhe, punonjësi duhet të mësojë metodologjinë e kompanisë, përdorimin e softuerëve specifikë dhe zbatimin e standardeve teknike në projekte konkrete.
Ky proces kërkon angazhimin e stafit me përvojë, i cili duhet të ofrojë mentorim, mbikëqyrje dhe rishikim të vazhdueshëm të punës.
Për kompaninë, kjo përkthehet në investim shtesë të kohës dhe burimeve njerëzore.
Prandaj, Spectra konsideron se nevojitet një lidhje më e drejtpërdrejtë ndërmjet arsimit formal dhe kërkesave reale të tregut, veçanërisht në arkitekturën e qëndrueshme, efikasitetin energjetik dhe teknologjitë digjitale.
Banka Botërore: Energjia e ripërtëritshme dhe ndërtimi, ndër sektorët me potencial për mijëra vende pune
Potenciali për zhvillimin e profesioneve të gjelbra në Kosovë theksohet edhe në raportin Kosovo: Country Private Sector Diagnostic, të publikuar nga Grupi i Bankës Botërore më 29 tetor 2026.
Sipas raportit, reformat në tri fusha – prodhimin e energjisë elektrike nga dielli dhe era, shërbimet për bizneset dhe prodhimin e komponentëve të ndërtimit – mund të tërheqin nga 1.2 deri në 1.5 miliardë dollarë investime private dhe të krijojnë nga 61 mijë deri në 87 mijë vende pune të drejtpërdrejta dhe të tërthorta gjatë një periudhe prej pesë deri në dhjetë vjetësh.
Banka Botërore identifikon mungesën e aftësive të përshtatshme për tregun e punës si një nga pengesat për zhvillimin e sektorit të prodhimit të komponentëve të ndërtimit, krahas kostos së energjisë, vështirësive në financim dhe barrierave rregullatore.
Në këtë drejtim, raporti rekomandon përfshirjen e trajnimit të strukturuar në vendin e punës në certifikimin e arsimit dhe aftësimit profesional për profesionet që lidhen me prodhimin e komponentëve të ndërtimit.
Këto gjetje nxjerrin në pah nevojën për përgatitjen e fuqisë punëtore dhe zhvillimin e aftësive praktike, në mënyrë që Kosova të shfrytëzojë potencialin e investimeve në sektorët e gjelbër.
Nga 80 në 90 për qind, kompanitë e teknologjisë në Kosovë përballen me vështirësi në gjetjen e stafit të kualifikuar
Problemi i mungesës së aftësive të specializuara nuk kufizohet vetëm në arkitekturë, ndërtim apo energji.
Raporti Kosovo IT Barometer 2023–2024, i hartuar nga STIKK dhe i publikuar në vitin 2025, evidenton vështirësi të ngjashme edhe në sektorin e teknologjisë së informacionit.
Sipas raportit, regjistrimet në programet bachelor të lidhura me TIK-un u rritën me rreth 20 për qind ndërmjet viteve akademike 2021/2022 dhe 2023/2024, ndërsa numri i të diplomuarve u rrit me rreth 30 për qind.
Burimi: STIKK, Kosovo IT Barometer 2023–2024
Burimi: STIKK, Kosovo IT Barometer 2023–2024
Megjithatë, 80 për qind e kompanive të anketuara raportuan vështirësi në rritje për gjetjen e stafit të kualifikuar.
Raporti identifikon mungesa të vazhdueshme të aftësive në programim, inteligjencë artificiale, analizë të të dhënave dhe siguri kibernetike.
Sipas të dhënave të raportit të STIKK-ut, të mbledhura nga 115 kompani, programimi rezulton aftësia më e vështirë për t’u gjetur në tregun e punës në Kosovë, e identifikuar nga 53 për qind e kompanive. Pas tij renditen shkenca e të dhënave dhe inteligjenca artificiale me 30 për qind, siguria kibernetike me 21 për qind, si dhe dizajni dhe menaxhimi i projekteve me nga 12 për qind.
Aftësitë më të vështira për t’u gjetur në Kosovë gjatë periudhës 2023–2024. Burimi: STIKK, Kosovo IT Barometer 2023–2024
Edhe pse këto të dhëna i referohen sektorit TIK dhe jo drejtpërdrejt profesioneve të gjelbra, ato pasqyrojnë një problem të përbashkët: nevojën për kompetenca të specializuara dhe përvojë praktike.
Teknologjitë digjitale mund të luajnë rol mbështetës edhe në zhvillimin e ekonomisë së gjelbër, përmes modelimit energjetik, analizës së të dhënave dhe automatizimit të proceseve.
Gjetjet e raportit më të ri të STIKK-ut, Kosovo IT Barometer 2025, të publikuar në vitin 2026, tregojnë se vështirësitë për sigurimin e profesionistëve të kualifikuar vazhdojnë.
Sipas raportit, 90 për qind e kompanive të anketuara kanë raportuar vështirësi në punësimin e stafit të kualifikuar.
Ndërkohë, të gjitha kompanitë pjesëmarrëse kanë deklaruar se kanë përdorur mjete të inteligjencës artificiale gjatë vitit 2025, ndërsa 93 për qind presin që inteligjenca artificiale dhe mësimi makinerik të jenë teknologjitë më të rëndësishme gjatë pesë viteve të ardhshme.
Vështirësitë e kompanive të sektorit TIK në punësimin e stafit të kualifikuar gjatë vitit 2025. Burimi: STIKK, Kosovo IT Barometer 2025
Raporti evidenton gjithashtu rëndësinë e lidhjes së arsimit me nevojat e tregut të punës, pasi 69 për qind e kompanive të anketuara e vlerësojnë arsimin profesional dual si efektiv.
Këto gjetje përforcojnë nevojën për zhvillimin e aftësive praktike dhe teknologjike, të cilat mund të jenë të rëndësishme edhe për inovacionin e gjelbër, veçanërisht në fushat që kërkojnë ndërthurjen e teknologjisë, efiçiencës energjetike dhe zgjidhjeve të qëndrueshme.
Pupovci: Arsimi nuk po arrin të përshtatet me shpejtësinë e zhvillimit teknologjik
Eksperti i arsimit dhe ish-zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, shpjegon se përshtatja e sistemit arsimor me kërkesat e reja të tregut është proces që kërkon kohë dhe investime.
Sipas tij, përditësimi i programeve mësimore është vetëm një pjesë e punës, pasi paralelisht duhet të përgatiten mësimdhënësit, të sigurohen pajisjet dhe të ndërtohet bashkëpunimi me bizneset.
“Përshtatja e arsimit kërkon kohë: duhet të përditësohen programet, të përgatiten mësimdhënësit dhe të sigurohen pajisjet përkatëse. Po ashtu, duhet ndërtuar raporte bashkëpunuese me biznese, si dhe duhet siguruar materiale shpenzuese të nevojshme për punë praktike”, thotë Pupovci për Telegrafin.
Ai merr si shembull shkollat që përgatisin teknikë për sisteme energjetike.
Një shkollë e tillë, sipas tij duhet të ketë pajisje funksionale, mësimdhënës që njohin teknologjinë dhe bashkëpunim me ndërmarrje që e përdorin atë në praktikë.
“Në sistemin tonë, nuk është e lehtë për t’i krijuar këto parakushte, prandaj edhe ndodhin vonesa dhe devijime nga planifikimi”, shprehet ai.
Pupovci vlerëson se një nga problemet kryesore është aftësia e nxënësve dhe studentëve për t’i zbatuar njohuritë në situata reale pune.
Sipas tij, mangësitë në matematikë, kuptimin e udhëzimeve teknike, përdorimin e teknologjisë dhe zgjidhjen e problemeve ndikojnë drejtpërdrejt në aftësinë për të përvetësuar teknologji të reja.
“Për mua, shqetësimi kryesor është sa arrijnë të rinjtë t’i zbatojnë njohuritë në situata reale pune”, thekson Pupovci.
Profesionet e gjelbra nuk janë domosdoshmërisht profesione të reja
Një element i rëndësishëm i tranzicionit të gjelbër është se ai nuk kërkon vetëm krijimin e profesioneve të reja, por edhe transformimin e profesioneve ekzistuese.
Pupovci shpjegon se zhvillimi teknologjik po ndryshon kompetencat që duhet të zotërojnë profesionistët tradicionalë.
“Aftësitë e gjelbra prekin shumë profesione ekzistuese: elektricistin që punon me sisteme fotovoltaike ose automekanikun që duhet të njohë automjetet elektrike”, thotë ai.
Kjo do të thotë se elektricisti, mekaniku, tekniku i energjisë apo inxhinieri nuk kanë nevojë domosdoshmërisht të ndryshojnë profesion, por të përditësojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre.
Për këtë arsye, Pupovci vlerëson se programet mësimore duhet të përfshijnë përmbajtje dhe ushtrime praktike të përshtatura me zhvillimet e reja teknologjike.
Në këtë drejtim, një analizë e Institutit Riinvest mbi kërkesat e tregut të punës në sektorët prioritarë, e realizuar me mbështetjen e LuxDev në vitin 2024, identifikon nevojën për profile të lidhura me energjinë e ripërtëritshme dhe efikasitetin energjetik.
Burimi: Instituti Riinvest/ LuxDev
Ndër profesionet që raporti i trajton si profile me rëndësi në zhvillim janë teknikët e sistemeve fotovoltaike, auditorët e energjisë, teknikët e efikasitetit energjetik të ndërtesave dhe operatorët e impianteve të prodhimit të energjisë.
Analiza tregon se zgjerimi i këtyre profesioneve kërkon përditësimin e ofertës së arsimit dhe aftësimit profesional, në përputhje me zhvillimet e sektorit.
A janë trajnimet afatshkurtra zgjidhje?
Përballë mungesës së profesionistëve, një nga mundësitë është zgjerimi i programeve të trajnimit dhe rikualifikimit.
Megjithatë, Popovci thekson se trajnimet afatshkurtra nuk mund ta zëvendësojnë plotësisht arsimin profesional.
“Trajnimet afatshkurtra kanë rol të rëndësishëm për përditësimin e aftësive, rikualifikimin dhe kryerjen e detyrave të caktuara profesionale”, shprehet ai.
Sipas tij, një person që ka tashmë formim në elektroteknikë mund të përfitojë shumë nga një trajnim i specializuar për një teknologji të re.
Por situata ndryshon kur bëhet fjalë për një person që nuk ka përgatitje paraprake.
“Përgatitja e një fillestari për një profesion kompleks kërkon formim më të gjerë dhe praktikë të mjaftueshme”, thekson Popovci.
Ai shpjegon se kjo përgatitje mund të realizohet përmes arsimit formal në shkollat profesionale, arsimit joformal në institucione të tjera trajnuese, si dhe mësimit në vendin e punës.
Kjo qasje nënkupton se zhvillimi i profesioneve të gjelbra kërkon një kombinim të arsimit bazë profesional, specializimit dhe përvojës praktike.
Arsimi dual dhe bashkëpunimi me bizneset
Një nga reformat që Popovci e konsideron të rëndësishme është zgjerimi i arsimit dual, ku nxënësit kombinojnë mësimin në shkollë me angazhimin praktik në biznese.
“Një reformë që tanimë po zhvillohet në Kosovë është arsimi dual, i cili nënkupton angazhimin e nxënësit në biznes krahas punës që bëhet në shkollë. Ky sistem duhet të zgjerohet në mënyrë që të përfshihen sa më shumë programe dhe nxënës”, thotë ai.
Sipas Popovcit, paralelisht duhet të përditësohen programet mësimore me pjesëmarrjen e punëdhënësve, të zhvillohen aftësitë praktike të mësimdhënësve dhe të financohen pajisjet e nevojshme për mësim.
Burimi: Instituti GAP
Ai thekson edhe rëndësinë e orientimit në karrierë, i cili duhet të fillojë përpara zgjedhjes së shkollës së mesme.
Të rinjtë, sipas tij, duhet të kenë informacion për mundësitë e punësimit, pagat dhe perspektivën e zhvillimit profesional.
Por përgjegjësia nuk bie vetëm mbi institucionet arsimore.
“Edhe bizneset kanë përgjegjësi: për t’i tërhequr dhe mbajtur kuadrot e kualifikuara, duhet të investojnë në aftësimin e tyre dhe të ofrojnë paga e kushte pune tërheqëse”, vlerëson Popovci për Telegrafin.
Nga mungesa e kuadrove te mundësia për zhvillim ekonomik
Përvoja e Spectra-s dhe vlerësimet e ekspertit të arsimit tregojnë se zhvillimi i inovacionit të gjelbër në Kosovë është i lidhur ngushtë me cilësinë e përgatitjes profesionale.
Nga njëra anë, kompanitë kanë nevojë për arkitektë, inxhinierë dhe teknikë që zotërojnë teknologji të avancuara dhe standarde të qëndrueshmërisë. Nga ana tjetër, sistemi arsimor duhet të sigurojë që të rinjtë të mos përfundojnë shkollimin vetëm me njohuri teorike, por edhe me aftësi të zbatueshme në vendin e punës.
Raportet e GAP-it, STIKK-ut dhe Riinvestit evidentojnë aspekte të ndryshme të së njëjtës sfidë: potencialin e pashfrytëzuar të fuqisë punëtore, mungesën e kompetencave të specializuara dhe nevojën për lidhje më të fortë ndërmjet arsimit dhe industrisë.
Burimi: Instituti GAP
Për Kosovën, kjo mund të jetë edhe mundësi për zhvillim.
Investimi në aftësi për efikasitet energjetik, energji të ripërtëritshme, projektim të qëndrueshëm dhe teknologji digjitale mund të ndihmojë në krijimin e vendeve të punës me vlerë më të lartë profesionale, krahas mbështetjes së tranzicionit drejt një ekonomie më të qëndrueshme.
Por, siç dëshmon përvoja e bizneseve, teknologjia nuk mjafton pa njerëzit që dinë ta përdorin.
Prandaj, sfida e Kosovës nuk është vetëm të identifikojë profesionet deficitare të së ardhmes, por të përgatisë profesionistët që do ta bëjnë të mundur inovacionin. /Telegrafi/
Ky publikim është përgatitur në bashkëpunim me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK), në kuadër të programit “Innovation and Training Park Prizren”, i financuar nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe Qeveria e Kosovës, dhe i zbatuar nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH.
Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të autorit/autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimet e GIZ-it apo të Qeverive të Kosovës dhe Gjermanisë.

