Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK), së bashku me Shoqatën e Ndërtimtarëve të Kosovës dhe Shoqatën e Gurthyesve, Betonierave dhe Minierave të Kosovës, kanë kërkuar veprim urgjent nga institucionet për të adresuar pengesat me të cilat po përballen sektorët e ndërtimit dhe industrisë nxjerrëse.
Në një komunikatë të përbashkët, përfaqësuesit e bizneseve kanë thënë se zvarritjet administrative, mungesa e koordinimit ndërinstitucional, pasiguria juridike dhe pengesat procedurale po ndikojnë drejtpërdrejt në realizimin e investimeve, zhvillimin ekonomik dhe ruajtjen e vendeve të punës.
Sipas tyre, këto barriera kanë shkaktuar rritje të kostove, vonesa në realizimin e projekteve dhe dobësim të konkurrueshmërisë së kompanive vendore.
Shoqata e Ndërtimtarëve të Kosovës ka ngritur shqetësimin për vështirësitë në sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me zhavorr dhe agregate ndërtimore, duke theksuar se mungesa e këtyre materialeve bazë po ndikon në proceset prodhuese dhe në realizimin e projekteve.
Ndërkaq, Shoqata e Gurthyesve, Betonierave dhe Minierave të Kosovës ka shprehur shqetësim për rritjen e importeve të materialeve ndërtimore nga Serbia dhe tregje të tjera, ndërsa prodhuesit vendorë, sipas tyre, përballen me pengesa administrative dhe procedurale.
Bizneset kanë identifikuar si probleme kryesore mungesën e harmonizimit ndërmjet institucioneve si Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Agjencia Pyjore e Kosovës dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, vonesat në licencim dhe rinovimin e licencave, si dhe burokracinë e tepërt.
Në mesin e kërkesave të tyre drejtuar Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve përgjegjëse janë harmonizimi i legjislacionit, përfundimi me prioritet i procedurave të licencimit, krijimi i sigurisë juridike për investitorët, thjeshtimi i procedurave administrative dhe mbështetja e prodhimit vendor.
LBK ka theksuar se këto kërkesa nuk synojnë privilegje për bizneset, por krijimin e një sistemi transparent dhe funksional, ku operatorët ekonomikë të kenë siguri juridike dhe kushte të barabarta për zhvillim.
“Është koha që të përfundojë praktika e zvarritjeve institucionale dhe e proceseve të përsëritura pa rezultate konkrete”, thuhet në komunikatë, ku kërkohet një partneritet më i madh ndërmjet institucioneve dhe sektorit privat. /Telegrafi/
