Policia e Kosovës ka hasur në disa persona duke luajtur bixhoz në një lokal në rrugën “Kemajl Ataturk” në Mitrovicën e Jugut, në orët e para të së martës.
Sipas raportit policor, rasti ka ndodhur rreth orës 03:50, kur njësitë policore gjatë kontrollit kanë gjetur dhe sekuestruar një thikë te një person i dyshuar, transmeton Klankosova.tv.
Në vendin e ngjarjes janë konfiskuar edhe katër kofera me gjithsej 1.610 çipa dhe tetë palë letra bixhozi.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka udhëzuar që pronari i lokalit të intervistohet në cilësinë e të dyshuarit dhe të iniciohet rasti për veprat e dyshuara penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, të dyshuarit janë liruar dhe rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt.

