Gazeta e madhe gjermane BILD ka shkruar sërish për mesfushorin Erblin Osmani, duke bërë pyetje drejt Federatës Gjermane se nëse do t’i bien pishman që e humbën këtë talent.
17-vjeçari shkaktoi bujë në Gjermani më 21 mars, kur në moshën vetëm 16 vjeç, 10 muaj e dy ditë bëri debutimin e tij në Bundesligë me Bayern Munichun, duke u bërë lojtari i dytë më i ri në histori që luan për gjigantin bavarez.
Ky shpërthim i hershëm në futbollin profesionist ishte interesant edhe për Federatën Gjermane të Futbollit (DFB), pasi Osmani deri atëherë kishte luajtur për grupmoshat e Kombëtares së Gjermanisë. Por vetëm gjashtë muaj pas debutimit me Bayernin, talenti i lindur në Mynih tani luan për një shtet tjetër.
Osmani debutoi të enjten me Kombëtaren A të Kosovës, vendlindjen e prindërve të tij. Në ndeshjen e Ligës së Kombeve ndaj Irlandës, të fituar 1-0 nga Kosova, mesfushori u inkuadrua në lojë tri minuta para fundit.
Me këtë paraqitje, Osmani shkroi histori duke u bërë lojtari më i ri që ka debutuar ndonjëherë me Kombëtaren e Kosovës, në moshën 17 vjeç, katër muaj e pesë ditë.
Debutimi i tij u cilësua si një goditje e madhe nga Federata e Futbollit e Kosovës. Fakti që një talent i Bayernit, i cili tashmë ka përvojë në futbollin profesionist, zgjodhi Kosovën në vend të Gjermanisë ishte një zhvillim i papritur.
“Sipas informacioneve të BILD, një rol të rëndësishëm në bindjen e Osmanit për të zgjedhur Kosovën e pati përzgjedhësi Franco Foda”.
“Në Gjermani, Osmani do të kishte konkurrencë të madhe për një vend në mesfushë, me emra si Joshua Kimmich, Aleks Pavlovic, Felix Nmecha dhe Tom Bischof. Në anën tjetër, te Kosova ai mori garanci për një rol më të rëndësishëm dhe mundësinë për të luajtur me Kombëtaren A që në një moshë shumë të re”.
“Kjo e bindi lojtarin dhe rrethin e tij që në fillim të shtatorit të pajisej me pasaportë kosovare, duke e bërë të mundur ndërrimin e përfaqësueses. Foda më pas e mbajti premtimin e tij. Në ndeshjen e parë pas ftesës, Osmani u aktivizua dhe regjistroi debutimin historik me Kosovën”.
“Tani mbetet të shihet se si do të zhvillohet karriera e talentit të Bayern Munichut. Nëse Osmani arrin të bëhet pjesë e rëndësishme e skuadrës bavareze, atëherë vendimi i tij për të lënë Gjermaninë mund të bëhet edhe më i diskutueshëm në të ardhmen”.
Osmani mund të ketë mundësinë të paraqitet sërish për Kosovën edhe sonte, kur “Dardanët” përballen me Austrinë në Vjenë, në kuadër të Ligës së Kombeve./Telegrafi/