Sanksionet tona nuk kanë të bëjnë me popullin izraelit, por me politikat e papranueshme të qeverisë izraelite dhe me vuajtjet që ato u shkaktojnë palestinezëve.
Nga: Andy Burnham, kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar / The Guardian (titulli: I believe in a two-state solution in the Middle East. That’s why we’re taking action to keep that hope alive)
Përkthimi: Telegrafi.com
Në një botë të vështirë dhe të rrezikshme, një dekadë pas Brexit-it, ekziston rreziku që Britania ta humbasë vetëbesimin për të udhëhequr dhe për të mbrojtur vlerat e saj. Nuk jam i gatshëm ta lejoj këtë të ndodhë. Është më e rëndësishme se kurrë që Britania të përfaqësojë diçka.
Prej vitesh kemi bërë thirrje për zgjidhje me dy shtete në Lindjen e Mesme, por duhet ta pranojmë se këto fjalë janë të pakuptimta nëse nuk i mbështesim me veprime.
Për një kohë tepër të gjatë kemi ngurruar të veprojmë, nga frika se mos akuzohemi se jemi kundër Izraelit. Sot po shpallim hapa të peshuar me kujdes dhe të synuar, të cilët nuk drejtohen kundër popullit izraelit, por kundër politikave të papranueshme të qeverisë aktuale izraelite.
Vuajtja e popullit palestinez është plagë në ndërgjegjen e botës. Palestinezë të pafajshëm, përfshirë fëmijë, vazhdojnë të vriten në Gaza. Dhe, ende ekziston një krizë humanitare, ndërsa ndihma që hyn është shumë e pakët.
Përmasat e shkatërrimit janë të vështira për t’u kuptuar. Më shumë se 70 mijë njerëz kanë humbur jetën – të paktën 20 mijë prej tyre fëmijë. Familjet dhe komunitetet janë ndarë. Miliona të zhvendosur. Dhe, popullsia e Gazës tani është e ngujuar në vetëm një të tretën e territorit.
E di se njerëzit në mbarë Mbretërinë e Bashkuar kanë ndjenja shumë të forta për këtë çështje – dhe po kështu edhe unë.
Para se të bëhesha kryeministër, thashë se reagimi i vendit tonë ka qenë tepër i ngadalshëm dhe thjesht jo mjaftueshëm i mirë. Kjo është arsyeja pse u zotova ta ndryshoja qasjen e qeverisë.
Nuk do të qëndroj duarkryq ndërsa vuajtjet e tmerrshme vazhdojnë të shtohen dhe perspektiva e një zgjidhjeje me dy shtete – shpresa më e mirë për paqe dhe stabilitet në rajon – vihet nën sulm.
Gjatë katër vjetëve të kësaj qeverie izraelite janë miratuar më shumë vendbanime sesa gjatë 20 vjetëve të mëparshme. OKB-ja ka raportuar më shumë se 1 500 incidente të dhunës së kolonëve deri tani këtë vit, me qëllim dëbimin e palestinezëve. Dhe, situata po përkeqësohet, me shpejtësi.
Qeveria izraelite ka miratuar tashmë 104 vendbanime të reja qëkur mori detyrën në dhjetor 2022 dhe, në prag të zgjedhjeve të tetorit në Izrael, po lejon që të vazhdojnë tenderët për ndërtimin e mega-vendbanimit E1. Ky do të përshkonte një brez përmes zemrës së Bregut Perëndimor – duke shuar shpresën për realizimin e një zgjidhjeje me dy shtete. Nuk mund të lejohet të ndodhë.
Prandaj, po shpallim një paketë të re masash të ashpra për të ushtruar presion mbi qeverinë izraelite:
Së pari, do ta ndalojmë tregtinë e mallrave me vendbanimet e paligjshme në Palestinë.
Së dyti, kemi ndryshuar zyrtarisht qëndrimin e qeverisë britanike, duke deklaruar për herë të parë se pushtimi izraelit i territorit palestinez është i paligjshëm – pavarësisht nga, por në përputhje me përfundimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Dhe, së treti, do të vendosim sanksione ndaj individëve dhe kompanive që mbështesin, lehtësojnë ose përfitojnë nga vendbanimet e paligjshme. Kjo përfshin çdo biznes ose investitor që merr pjesë në ndërtimin e vendbanimit E1.
Përveç kësaj, shpallim një pako të re ndihmash humanitare, për të cilat Gaza ka shumë nevojë.
Po i ndërmarrim këto masa sepse kjo është gjëja e duhur për t’u bërë.
E kam dënuar me fjalët më të fuqishme të mundshme sulmin monstruoz terrorist ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 – dhe vazhdoj ta dënoj Hamasin. Megjithatë, kjo nuk i justifikon veprimet e qeverisë izraelite në Gazë apo në Bregun Perëndimor.
Masat që po ndërmarrim synojnë vendbanimet e paligjshme dhe shtimin e presionit ndaj qeverisë izraelite që të ndryshojë kurs. Nuk po vendosim sanksione ndaj Izraelit në tërësi, sepse kjo do ta ndëshkonte popullin izraelit, shumë prej të cilëve nuk pajtohen me qëndrimin e qeverisë së tyre.
Populli izraelit nuk është përgjegjës për veprimet e qeverisë së tij. Nuk është as komuniteti hebraik në Mbretërinë e Bashkuar. Thjesht, është gabim të fajësosh hebrenjtë britanikë për veprimet e qeverisë së Benjamin Netanyahut. Dhe, thjesht është antisemitizëm.
Vetëm javën e kaluar u takova me përfaqësuesit e komunitetit hebraik. E di frikën me të cilën jetojnë çdo ditë. Qeveria ime do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të garantuar sigurinë e tyre dhe për ta çrrënjosur antisemitizmin nga çdo pjesë e shoqërisë sonë.
Masat që po shpallim sot synojnë të mbrojnë të vetmen zgjidhje që mund t’ua mundësojë popullit izraelit dhe atij palestinez të jetojnë krah për krah në paqe dhe siguri – diçka që njerëzit anembanë Mbretërisë së Bashkuar duan dëshpërimisht ta shohin të realizuar. Qeveria që drejtoj do të vazhdojë të punojë me partnerët tanë në mbarë botën për ta mbajtur gjallë këtë shpresë. /Telegrafi/