Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka deklaruar për Telegrafin se aktualisht në Kosovë ka furnizim të mjaftueshëm me derivate dhe qytetarët nuk duhet të shqetësohen për mungesë të karburanteve.
Sipas tij, çmimet e derivateve në vend sot sillen në këto nivele: dizelli nga 1.40 deri në 1.55 euro për litër, ndërsa benzina nga 1.27 deri në 1.39 euro.
“Çmimet sot sillen përafërsisht në Kosovë: Dizelli 1.40€ deri 1.55€, Benzina 1.27€ deri 1.39€. Dje çmimi i furnizimit ka qenë me shumicë 1.53€”, tha Berjani për Telegrafin.
Ai theksoi se zhvillimet gjeopolitike dhe tensionet në Lindjen e Mesme po ndikojnë drejtpërdrejt në tregjet globale të naftës.
“Lufta në Iran, rritja e tensioneve dhe rreziku për ndërprerje në prodhim dhe ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të kalimit të naftës në botë. Çdo problem në atë korridor reflektohet në tregjet globale dhe reflekton edhe te ne në Kosovë”, u shpreh ai.
Berjani shtoi se aktualisht qarkullimi i anijeve në atë korridor është ulur ndjeshëm.
“Këtë korridor e kanë kaluar me qindra anije në ditë, po tash nuk kalojnë jo më shumë se 10 deri në 20 në ditë dhe ato me rrezikshmëri të madhe”, deklaroi ai.
Megjithatë, ai theksoi se nuk ka arsye për panik, pasi furnizimi në Kosovë është stabil.
“Qytetarët nuk kanë nevojë për panik se derivate në Kosovë ka mjaftueshëm dhe shpresojmë se do të arrihet një marrëveshje paqeje dhe do të stabilizohet tregu i naftës në tërë globin”, tha Berjani.
Sipas tij, aktualisht qytetarët në Kosovë po furnizohen me çmime më të ulëta krahasuar me disa vende të rajonit.
“Qytetarët tanë janë duke u shërbyer me çmimet më të lira në rajon”, theksoi ai.
Berjani shtoi se stabilizimi i tregut global të naftës varet nga zhvillimet politike dhe përfundimi i konflikteve.
“Stabilizimi i tregut të naftës bëhet atëherë kur ndalet lufta. Stabilizimi i tregut është në dorën e presidentit Trump”, u shpreh ai.
Sipas të dhënave që ai prezantoi për Telegrafin, çmimet e derivateve në rajon janë më të larta se në Kosovë.
“Në Shqipëri, dizelli kushton rreth 2.10 euro dhe benzina 2.15 euro, në Serbi dizelli 1.85 euro dhe benzina 1.82 euro, në Mal të Zi dizelli 1.85 euro dhe benzina 1.82 euro, ndërsa në Bosnje dhe Hercegovinë dizelli është rreth 1.65 euro dhe benzina 1.60 euro për litër”, tha Berjani.
Ndryshe ministrja e Industrisë, Mimoza Kusari-Lila ka njoftuar se nga sot do të hyjnë në fuqi çmimet e reja maksimale për derivatet e naftës në treg.
Duke u bazuar në vendimin në fuqi për marzhën e fitimit, ajo bëri të ditur se çmimi maksimal i lejuar në treg nga nesër nuk mund të jetë më i lartë se: nafta 1.54 euro për litër dhe benzina 1.36 euro për litër. /Telegrafi/