Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje për bashkimin e forcave opozitare në zgjedhjet vendore, përmes kandidaturave të përbashkëta.
Gjatë një komunikimi me qytetarët, ai bëri të ditur se udhëzimi për procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve për kryetarë bashkish është përgatitur dhe firmosur.
I pyetur nga një qytetar se kur do të bëhen publikë emrat e kandidatëve, Berisha tha se procesi do të nisë së shpejti dhe se synimi është të përfundojë sa më shpejt, në mënyrë që kandidatët të kenë kohën e nevojshme për përgatitjen e fushatës.
“Udhëzimi për procedurën është përgatitur dhe është firmosur. Procesi do të fillojë. Do të përpiqemi që ta përfundojmë sa më shpejt, në mënyrë që kandidatët tanë të jenë më të mirët dhe të kenë kohën e mjaftueshme”, u shpreh Berisha.
Ai përsëriti ftesën drejtuar forcave politike opozitare për të dalë me kandidatë të përbashkët, duke theksuar se bashkimi i opozitës është i nevojshëm për përballjen me kryeministrin Edi Rama.
Berisha tha se “Partia Demokratike ka marrë në konsideratë pretendimet, propozimet dhe sugjerimet e partive të spektrit opozitar, si dhe të përfaqësuesve të tjerë që kanë mbështetur idenë e krijimit të një fronti të përbashkët”.
Sipas tij, një front i tillë do të përbënte një mesazh të rëndësishëm për qytetarët dhe do të bashkonte energjinë e atyre që kanë protestuar kundër qeverisë.
Në këtë kontekst, Berisha akuzoi gjithashtu grupin që ai e cilësoi si “grupi i mikrofonit” dhe “grupi i megafonit” se ka keqpërdorur energjinë dhe idealet e protestuesve./atsh

