Bentley ka zbuluar edicionin special Bentayga EWB “Chalet Edition”, një SUV ultra-luksoz i përpunuar nga divizioni Mulliner në bashkëpunim me influencerin e njohur si “Gstaad Guy”. Automjeti është përshkruar si “shoqëruesi perfekt për Alpet”.
Ky edicion është krijuar në bashkëpunim me Gstaad Guy, të cilin Bentley e përshkruan si një “personazh të njohur në rrjetet sociale”.
Ai ka 1.7 milion ndjekës në Instagram dhe 1.3 milion në TikTok, ndërsa audienca e tij thuhet se përfshin një përqendrim të lartë të individëve me pasuri të jashtëzakonshme.
Karroceria vjen me ngjyrën ekskluzive “Light Tudor Grey”, për aplikimin e së cilës nevojiten mbi 60 orë punë. Pamja plotësohet me detaje në ngjyrën “Fireglow”, emërtimin “Chalet Edition” dhe ndriçim të posaçëm mirëseardhjeje që projektohet në tokë.
– YouTube www.youtube.com
Kabina me katër ulëse është e veshur me lëkurë ngjyrë kafe dy-tonëshe, ndërsa mbështetëset kanë model diamant. Në brendësi gjenden gjithashtu detaje “Fireglow” dhe mbishkrimi “The Chalet”. I njëjti motiv shfaqet edhe në panelin e përparmë të bërë nga druri “Liquid Amber”, ku është gdhendur me lazer edhe një imazh i një shtëpie alpine.
Dizajnerët kanë shtuar edhe detaje në xhepat e dyerve dhe konsolë, ndërsa pragjet e derës, grilat e altoparlantëve ngjyrë kafe dhe konzola e pasme qendrore plotësojnë luksin e brendshëm. Në mbështetëset e kokës dhe jastëkët e ulëseve të pasme është qëndisur një motiv i luleve alpine.
Bentley nuk ka publikuar ndryshime specifike në performancë për këtë edicion, por modeli standard Bentayga EWB përdor një motor 4.0-litër twin-turbo V8 me 550 kuaj/fuqi dhe 770 Nm çift rrotullues. Ai përshpejton nga 0 në 100 km/h për 4.5 sekonda dhe arrin shpejtësi maksimale prej 290 km/h.
Dërgesat e para të modelit të ri pritet të fillojnë gjatë verës, dhe ai pritet të tërheqë veçanërisht adhuruesit e zonave alpine dhe klientelën elitare. /Telegrafi/