Bekim Sejdiu është tërhequr nga gara për president të Kosovës, pavarësisht se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar sot se Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme t’i japë 62 vota, bashkë me deputetët e komuniteteve, në këmbim të mbështetjes së PDK-së për kandidaturën e Sejdiut.
“I kam njoftuar sërish LDK-në dhe Kurtin, jam tërhequr nga gara”, ka deklaruar Sejdiu për INFOKUSIN.
Deklarata e tij vjen në ditën e fundit të afatit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës dhe e vë në pikëpyetje ofertën e bërë nga Kurti ndaj PDK-së.
Kurti ka thënë se LVV-ja do të siguronte 62 vota, nëse PDK-ja do të zotohej se do të siguronte gjysmën e votave të deputetëve të saj për Bekim Sejdiun.
Megjithatë, tërheqja e Sejdiut nënkupton se emri për të cilin Kurti po kërkon mbështetje nga PDK-ja nuk pranohet më nga vetë kandidati.
Zhvillimet e fundit mes LVV-së, PDK-së dhe LDK-së vijnë në një moment vendimtar, pasi 6 tetori është afati i fundit për përmbylljen e procesit të zgjedhjes së presidentit.
Tash mbetet e paqartë nëse do të propozohet një emër tjetër dhe nëse partitë politike do të arrijnë marrëveshje për votimin e tij brenda afatit./Telegrafi.