Bebe Rexha dhuroi një performancë spektakolare në edicionin e sivjetmë të Tomorrowland, duke elektrizuar mijëra adhurues të muzikës në një prej festivaleve më të mëdha të Evropës.
Artistja shqiptaro-amerikane u ngjit në skenën Freedom Stage, ku interpretoi disa prej hiteve të saj më të njohura, duke krijuar një atmosferë të zjarrtë dhe duke marrë ovacione të shumta nga publiku.
Faqja zyrtare e Tomorrowland në rrjetet sociale publikoi disa fotografi nga performanca e Bebe Rexhës, ku ajo u shfaq plot energji, ndërsa publiku këndonte dhe vallëzonte së bashku me të.
Para performancës, Rexha kishte zbuluar se kishte kërkuar këshilla nga bashkëpunëtori i saj i ngushtë, DJ dhe producenti me famë botërore David Guetta, i cili i kishte sugjeruar që seti i saj të ishte i mbushur vetëm me energji.
Ajo kishte treguar se dëshironte të krijonte një performancë ndryshe nga koncertet e zakonshme pop, duke e përshkruar atë si një kombinim mes një DJ-i dhe një ylli të muzikës pop.
Sipas artistes, performanca përfshiu një miks dinamik të hiteve të saj si “Me, Myself & I” dhe “I’m Good (Blue)”, të ndërthurura me klasike të muzikës elektronike si “Satisfaction” e Benny Benassi dhe “Sandstorm” e Darude, duke mbajtur ritmin në një nivel të lartë gjatë gjithë setit.
Debutimi i saj në Tomorrowland u prit me entuziazëm të madh nga publiku dhe konsiderohet një tjetër moment i rëndësishëm në karrierën ndërkombëtare të këngëtares.
Bebe Rexha po shijon një periudhë mjaft të suksesshme si artiste e pavarur. Vetëm pak javë më parë ajo publikoi albumin e saj më të ri, “Dirty Blonde”, projektin e parë të realizuar pas përfundimit të bashkëpunimit me shtëpinë diskografike Warner Records, duke dëshmuar se vazhdon të jetë një nga emrat më të rëndësishëm të skenës muzikore ndërkombëtare. /Telegrafi/
