KORREKT / SOT28 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Bota

BE-ja shqyrton rregulla më të ashpra për anëtarët e rinj, Mali i Zi bëhet rasti i parë i testimit

BE-ja shqyrton rregulla më të ashpra për anëtarët e rinj, Mali i Zi bëhet rasti i parë i testimit

Bashkimi Evropian ka nisur diskutimet për masa të reja mbrojtëse ndaj vendeve që do t’i bashkohen bllokut në të ardhmen. Propozimet përfshijnë një periudhë prove deri në 15 vjet dhe mundësinë e pezullimit të të drejtave të votës për shtetet që shkelin rëndë vlerat themelore të BE-së.

Mali i Zi, vendi që aktualisht konsiderohet në krye të procesit të zgjerimit, pritet të jetë i pari që do t’i nënshtrohet këtyre rregullave të reja, transmeton Telegrafi.

Komisioni Evropian i ka propozuar masat si pjesë të një strategjie më të gjerë për përgatitjen e BE-së për zgjerimin e ardhshëm. Ambasadorët e vendeve anëtare kanë diskutuar për herë të parë projektin e dispozitave ligjore, ndërsa Mali i Zi pritet t’i ketë ato të përfshira në traktatin e anëtarësimit.

Në një dokument orientues të shpërndarë para takimit, theksohet se Këshilli i BE-së duhet të përcaktojë qëndrimet e veta dhe të japë udhëzime paraprake për zbatimin e masave, në mënyrë që ato të jenë proporcionale, të kenë arsye të qarta aktivizimi dhe periudha të përcaktuara zbatimi.

Sipas Euronews, i cili ka siguruar tekstin e propozuar nga Komisioni, vendet anëtare janë të ndara për mënyrën se si duhet të funksionojnë këto mekanizma. Grupi i njohur si “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, ku bëjnë pjesë Italia dhe Austria, ka paralajmëruar se masat tepër të rrepta mund ta pengojnë zgjerimin. Në anën tjetër, vende si Holanda dhe Franca kërkojnë garanci më të forta për respektimin e sundimit të ligjit.

Puna për formulimin përfundimtar të tekstit do të vazhdojë në nivel teknik, ndërsa një tjetër diskutim mes ambasadorëve pritet të mbahet në nëntor.

Një nga propozimet më të rëndësishme është një klauzolë institucionale që do t’i mundësonte BE-së të ndërmarrë masa ndaj anëtarëve të rinj në rast të shkeljeve të rënda të vlerave themelore ose të parimit të bashkëpunimit të sinqertë. Në rastet më serioze, masat mund të përfshijnë edhe pezullimin e të drejtave të votës.

Debati është përqendruar veçanërisht te kohëzgjatja e periudhës së provës dhe te propozimi i Komisionit për një afat prej 15 vjetësh. Vendet anëtare nuk kanë arritur ende pajtim nëse kjo periudhë është e përshtatshme.

Sipas projektit, një shtet i ri anëtar do të kishte të paktën dy javë kohë për të paraqitur vërejtjet e tij pasi të aktivizohej klauzola. Megjithatë, dispozita do të zbatohej vetëm pas anëtarësimit, edhe pse klauzola mund të aktivizohej në rrethana të caktuara para hyrjes zyrtare të vendit në BE.

Propozimi ka nxitur gjithashtu shqetësime për kompetencat e Komisionit Evropian. Sipas mekanizmit të propozuar, një vendim i paraqitur nga Komisioni do të miratohej brenda dy javësh, përveç nëse një shumicë e cilësuar e shteteve anëtare e refuzon ose e ndryshon atë.

Ambasadorët kanë kërkuar sqarime edhe për llojet e masave që mund të ndërmerren dhe për mënyrën se si klauzola e re do të bashkërendohej me nenin 7 të Traktatit të BE-së, i cili parashikon masa në rast të shkeljeve të rënda të vlerave evropiane.

Komisioni ka propozuar edhe një mekanizëm të përgjithshëm monitorimi për periudhën mes nënshkrimit të traktatit të anëtarësimit dhe hyrjes faktike të vendit në BE. Ai do të përfshinte raporte të rregullta, vlerësime nga vendet anëtare dhe letra paralajmëruese në rastet kur identifikohen probleme. Frekuenca dhe temat konkrete të raporteve ende nuk janë përcaktuar.

Si masë të fundit, Komisioni propozon mundësinë e shtyrjes së anëtarësimit kur ka prova të qarta se vendi kandidat nuk do t’i përmbushë me kohë kriteret e kërkuara.

Një dispozitë e ngjashme ishte përfshirë në traktatet e anëtarësimit të Rumanisë dhe Bullgarisë, ku vendimi për shtyrje kërkonte, si rregull, unanimitet.

Për rastet e ardhshme, procesi i vendimmarrjes mbetet i hapur, por dokumenti sugjeron paraprakisht që shtyrja të mund të miratohet me shumicë të cilësuar, bazuar në rekomandimin e Komisionit. Ende nuk është përcaktuar as çfarë periudhe shtyrjeje do të konsiderohej proporcionale.

Përveç këtyre masave, Komisioni ka propozuar që vendet anëtare të zotohen të mos bllokojnë vendimet për zgjerimin për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshe me vendet kandidate, një problem që ka ndikuar vazhdimisht në procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Për këtë çështje, Komisioni parashikon një deklaratë që do t’i bashkëngjitej traktatit të anëtarësimit, në vend të përfshirjes së saj në dispozitat kryesore ligjore.

Projektteksti përmban gjithashtu masa për bashkëpunimin gjyqësor, të cilat do të lejonin pezullimin e përkohshëm të disa vendimeve ose dispozitave që prekin shtetet e tjera anëtare në rast të shkeljeve serioze, pa ndërprerë bashkëpunimin më të gjerë gjyqësor.

Për anëtarësimin në zonën Schengen, propozohen kushte shtesë që lidhen me sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë.

Teksti përfshin edhe masa mbrojtëse ndaj vështirësive serioze ekonomike dhe shkeljeve të rregullave të tregut të brendshëm, të ngjashme me ato që u përfshinë në traktatin e anëtarësimit të Kroacisë, vendit të fundit që iu bashkua BE-së.

Megjithatë, Komisioni propozon që periudha gjatë së cilës këto masa mund të aktivizohen të jetë më e gjatë se afati trevjeçar i parashikuar për Kroacinë. Kohëzgjatja e re nuk është përcaktuar ende, ndërsa vendet anëtare do të mund ta zgjasin atë më tej me shumicë të cilësuar. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.