Parlamenti Evropian ka miratuar të mërkurën reformën e legjislacionit farmaceutik të Bashkimit Evropian, e cila synon të përmirësojë furnizimin me barna, të parandalojë mungesat e tyre dhe të nxisë inovacionin në këtë sektor.
Sipas njoftimit të Parlamentit Evropian, rregullat e reja do t'u mundësojnë autoriteteve të monitorojnë dhe koordinojnë më mirë furnizimin me barna, si në nivel kombëtar, ashtu edhe në atë Bashkimit Evropian.
Me legjislacionin e ri, vendet anëtare do të kenë mundësi t'u kërkojnë kompanive farmaceutike të sigurojnë sasi të mjaftueshme të barnave për të përmbushur nevojat e pacientëve.
Një tjetër pjesë e reformës synon luftimin e rezistencës ndaj antimikrobikëve. Për këtë qëllim, do të bëhen të detyrueshme recetat mjekësore për të gjitha barnat antimikrobike, ndërsa do të përfshihet edhe informacion shtesë në fletëudhëzimet e tyre.
Ndërkohë, për të forcuar prodhimin brenda BE-së dhe për të zvogëluar varësinë nga furnizuesit jashtë saj, janë përcaktuar masa për mbështetjen e projekteve strategjike industriale që synojnë krijimin dhe zgjerimin e kapaciteteve prodhuese të barnave kritike.
Kompanitë që përfitojnë mbështetje financiare nga BE-ja ose nga shtetet anëtare do të kenë detyrime për furnizimin e tregut evropian.
Gjithashtu, pesë ose më shumë shtete anëtare të BE-së do të mund të bashkojnë forcat për blerjen e përbashkët të barnave kritike, barnave për sëmundje të rralla dhe produkteve të tjera me interes të përbashkët.

