KORREKT / SOT4 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

BE-ja godet Kosovën dhe Serbinë në raport – nuk zbatuan Marrëveshjen e Ohrit, kritika për veprimet në veri dhe Asociacionin

BE-ja godet Kosovën dhe Serbinë në raport – nuk zbatuan Marrëveshjen e Ohrit, kritika për veprimet në veri dhe Asociacionin

Komisioni Evropian ka vlerësuar se, ndonëse Kosova dhe Serbia kanë vazhduar pjesëmarrjen në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, kjo nuk është reflektuar në zbatimin e duhur të marrëveshjeve dhe obligimeve të dakorduara.

Në Raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2026, Komisioni thekson se, përveç çështjes së personave të zhdukur, asnjëra nga palët nuk ka shënuar përparim të dukshëm në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2023, raporton lajmi.net

Sipas raportit, dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ka vazhduar gjatë periudhës raportuese, pavarësisht ndikimit të zhvillimeve të brendshme politike. Takimet janë mbajtur rregullisht në nivel të kryenegociatorëve dhe atë teknik, si në formate dypalëshe, ashtu edhe në ato trepalëshe.

Megjithatë, përmbushja e detyrimeve të mbetura ka ecur ngadalë. Komisioni vlerëson se veprimet e njëanshme dhe deklaratat që nuk ndihmojnë procesin e normalizimit kanë ndikuar negativisht në dialog.

BE-ja kërkon nga të dyja palët zbatimin e plotë dhe pa vonesa të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe aneksit të saj të zbatimit, të njohur si Marrëveshja e Ohrit, si dhe të marrëveshjeve të mëhershme të dialogut.

Në mesin e çështjeve që duhet të zgjidhen janë edhe aranzhimet për vetëmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë. Sipas Komisionit, Kosova duhet të nisë procesin drejt themelimit të tyre, ndërsa Serbia duhet të ndërmarrë paralelisht hapa për njohjen e dokumenteve, simboleve dhe institucioneve të Kosovës.

“ Asnjëra palë nuk ka shënuar përparim të mjaftueshëm”, thuhet në raport, ku rikujtohet se Marrëveshja e Ohrit është e vlefshme dhe ligjërisht obliguese për të dyja palët. Sipas BE-së, çfarëdo formaliteti që lidhet me miratimin apo formalizimin e saj nuk duhet të shërbejë si pengesë për zbatim.

Kritikat për Kosovën dhe Serbinë

Komisioni Evropian vlerëson se situata në veri të Kosovës ka mbetur e qetë, por e brishtë. Në të njëjtën kohë, raporti evidenton shtim të veprimeve dhe deklaratave që nuk kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve.

Në raport përmenden një sërë veprimesh të Kosovës që, sipas Komisionit, janë në kundërshtim me obligimet e marra në dialog ose kanë ndikuar negativisht në procesin e normalizimit.

Në mesin e tyre janë aksionet policore dhe administrative ndaj strukturave e shërbimeve të mbështetura nga Serbia, arrestimet e serbëve të Kosovës dhe refuzimi i dorëheqjeve të tërhequra nga gjyqtarët dhe prokurorët serbë, çka ka penguar riintegrimin e tyre në institucionet e Kosovës.

BE-ja shpreh shqetësim të thellë për këto zhvillime, veçanërisht për mungesën e përsëritur të koordinimit nga ana e Kosovës dhe pasojat që ato kanë pasur për komunitetet lokale dhe qasjen e tyre në shërbimet themelore publike e sociale.

Në anën tjetër, Komisioni vlerëson se edhe Serbia ka shkelur vazhdimisht zotimet e saj nga Marrëveshja e Ohrit. Në raport përmendet lobimi i Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, veçanërisht në Këshillin e Evropës dhe Interpol.

Përveç kësaj, deklaratat nxitëse të zyrtarëve serbë konsiderohen si veprime që dëmtojnë përpjekjet për normalizim. Komisioni thekson gjithashtu se Serbia nuk ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të siguruar llogaridhënie për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, më 24 shtator 2023.

Riintegrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë mbetet i bllokuar

Një prej çështjeve ku Komisioni Evropian evidenton pengesa të mëdha është rikthimi i gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit mbështetës serb në sistemin e drejtësisë së Kosovës.

Raporti rikujton se largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022 kishte qenë në kundërshtim me obligimet e Serbisë nga Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 dhe kishte zhbërë disa prej arritjeve të rëndësishme të Marrëveshjes për Drejtësinë të vitit 2015.

Më 15 korrik 2026, gjyqtarët, prokurorët dhe pjesëtarët e stafit mbështetës serbë të Kosovës tërhoqën dorëheqjet që i kishin paraqitur rreth tre vjet e gjysmë më parë. Bashkimi Evropian e konsideron këtë veprim si një hap të rëndësishëm drejt rikthimit të tyre në sistemin e drejtësisë.

Megjithatë, procesi nuk vazhdoi sipas pritjeve. Vendimet e mëvonshme të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe ushtruesit të detyrës së presidentit për pranimin e dorëheqjeve të tërhequra, sipas Komisionit, e penguan riintegrimin e tyre.

BE-ja vlerëson se këto vendime nuk janë në përputhje me qëllimet dhe zotimet e Marrëveshjes për Drejtësinë të vitit 2015.

Raporti thekson se Kosova nuk ka mundësuar rikthimin e personelit gjyqësor serb. Edhe një konkurs për rekrutimin e prokurorëve serbë, për të cilët ishte paraparë një kuotë e veçantë, ka përfunduar pa sukses.

Asnjë përparim për Asociacionin

Komisioni Evropian konstaton se nuk është shënuar asnjë zhvillim i ri drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në bazë të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 dhe marrëveshjes për parimet e përgjithshme të vitit 2015.

Sipas raportit, Kosova duhet të nisë procesin e themelimit të Asociacionit, në përputhje me zotimet e saj nga dialogu, përfshirë edhe ato që dalin nga Marrëveshja e Ohrit.

Komisioni u bën thirrje të dyja palëve që të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të mos lejojnë vonesa të tjera.

Sa u përket strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia që veprojnë në Kosovë, raporti thekson se statusi i tyre duhet të zgjidhet në përputhje me marrëveshjet e dialogut dhe legjislacionin e Kosovës, e jo përmes veprimeve të pakoordinuara.

BE-ja kërkon gjithashtu konsultime të strukturuara me përfaqësuesit e komunitetit serb, në mënyrë që ata të përfshihen në mënyrë domethënëse në këtë proces.

BE-ja kërkon hapjen e urës së Ibrit

Në raport është trajtuar edhe çështja e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Komisioni bën të ditur se punimet, përfshirë vlerësimet shtesë dhe konsultimet, kanë përfunduar.

Qëndrimi i Bashkimit Evropian mbetet i pandryshuar: ura duhet të hapet.

Sipas Komisionit, kushtet teknike për hapjen e saj tashmë janë përmbushur. Megjithatë, kërkohet koordinim dhe konsultim më i mirë ndërmjet dy komunave përkatëse dhe institucioneve qendrore, në mënyrë që ura të jetë në shërbim të të gjitha komuniteteve.

Në këtë pjesë të raportit thuhet se është marrë parasysh edhe ndryshimi i qëndrimit të KFOR-it.

Energjia dhe marrëveshjet e pazbatuara

Në sektorin e energjisë, Komisioni vlerëson se ka vazhduar zbatimi i marrëveshjeve të viteve 2013 dhe 2015, si dhe i Udhërrëfyesit për Energjinë të vitit 2022.

Megjithatë, operatori serb i sistemit të transmetimit, EMS, ende nuk i ka përcaktuar kapacitetet neto të transmetimit në interkoneksionin me Kosovën.

Kjo situatë pengon ndarjen e kapaciteteve ndërkufitare për pjesëmarrësit në treg, ndikon në sigurinë e furnizimit dhe konkurrencën, si dhe shkakton rritjen e çmimeve të importit të energjisë elektrike.

Raporti vë në pah se disa marrëveshje teknike të dialogut të viteve 2011-2012 vazhdojnë të mos zbatohen plotësisht. Këtu përfshihen marrëveshjet për kadastrën dhe njohjen e diplomave universitare, të cilat, sipas Komisionit, Serbia ende nuk i ka zbatuar.

Po ashtu, Serbia nuk e ka zgjidhur çështjen e strukturave të zhvendosura administrative doganore, të cilat veprojnë brenda territorit të saj me emërtimin e Kosovës.

Pikëkalimet kufitare dhe qarkullimi i mallrave

Sa i përket menaxhimit të integruar të kufirit, raporti thekson se ende nuk janë funksionalizuar të gjashtë pikëkalimet e përhershme të përbashkëta të parapara në marrëveshje.

Deri më tani janë ndërtuar vetëm dy prej tyre, në Merdarë dhe Mutivodë.

Serbia ende nuk i ka ndërtuar pikëkalimet që duhet të vendosen në territorin e saj, në Jarinjë, Konçul dhe Depcë. Ndërkohë, duhet të angazhohet edhe për ndërtimin e pikëkalimit të tretë në anën e Kosovës, në veri, në Tabavije/Bërnjak.

Komisioni kërkon nga Serbia që të mbyllë rrugët ilegale dhe shmangiet kufitare, si dhe të rifillojë takimet e përbashkëta për menaxhimin e integruar të kufirit në të gjitha nivelet.

Megjithatë, një zhvillim pozitiv është evidentuar në Merdarë. Sipas raportit, gjatë verës së vitit 2026 është funksionalizuar plotësisht skaneri për mallrat, duke lehtësuar qarkullimin e produkteve serbe dhe duke zvogëluar dukshëm kohën e pritjes.

Pavarësisht këtij përparimi, kufizimet ndaj mallrave serbe në pikëkalimet e tjera vazhdojnë. Komisioni kërkon nga Kosova që të garantojë lëvizjen e lirë të mallrave në të gjitha pikëkalimet e përcaktuara.

Ligji për të huajt dhe dokumentet civile

Komisioni Evropian ka vlerësuar pozitivisht zbatimin përgjithësisht të kënaqshëm të marrëveshjes së 14 marsit 2026, e cila lidhet me zbatimin e Ligjit për të huajt.

Sipas raportit, kjo marrëveshje ka krijuar mundësi për regjistrimin e fakteve të gjendjes civile në sistemin e Kosovës, duke u bazuar në dokumentet e lëshuara nga Serbia.

Megjithatë, Kosova inkurajohet të gjejë një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë, e cila do të mundësonte regjistrim më efikas dhe pajisjen me dokumentacionin e nevojshëm të të gjithë personave që jetojnë, punojnë apo studiojnë në Kosovë.

Asnjë përparim në telekomunikacion

Në fushën e telekomunikacionit, Komisioni Evropian nuk ka evidentuar përparim në zgjidhjen e çështjeve të mbetura.

Të dyja palët duhet t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura, të zgjidhin problemet e ndërhyrjeve ndërkufitare të frekuencave ndërmjet operatorëve mobilë të Kosovës dhe Serbisë, si dhe të sigurojnë shërbime postare cilësore për të gjitha komunitetet.

Personat e zhdukur, një prej fushave me përparim

Një prej zhvillimeve pozitive në raport është evidentuar në çështjen e personave të zhdukur.

Komisioni Evropian përmend mbajtjen e takimit të parë të Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur, në janar të vitit 2026. Ky takim kishte për qëllim avancimin e zbatimit të Deklaratës Politike për Personat e Zhdukur, të miratuar në maj të vitit 2023.

Gjithashtu, në prill është mbajtur një takim teknik për qasjen në arkiva. Komisioni e konsideron këtë zhvillim si përparim në zbatimin e deklaratës, por thekson se nevojitet bashkëpunim i mëtejshëm dhe se kjo çështje humanitare nuk duhet të politizohet nga palët.

Përparim i kufizuar në ndihmën juridike

Sa i përket ndihmës së ndërsjellë juridike, raporti evidenton përparim të kufizuar, pas vendimit të Qeverisë së Serbisë për të ndërmarrë hapa drejt rifillimit të bashkëpunimit, pas një ndërprerjeje të gjatë.

Gjykatat në Serbi kanë nisur sërish përdorimin e kanaleve të ndihmës së ndërsjellë juridike, por kjo ka ndodhur vetëm në një numër shumë të vogël rastesh.

Ndërkohë, Kosova dhe Serbia vazhdojnë të mos i zbatojnë plotësisht marrëveshjet për vizitat zyrtare. Shumica e vizitave të paralajmëruara janë refuzuar nga njëra apo pala tjetër.

Megjithatë, raporti përmend si zhvillime pozitive dy vizitat e patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, si dhe vizitën e ministrit në detyrë të Kulturës dhe Turizmit të Kosovës në Luginën e Preshevës. Të gjitha këto vizita janë zhvilluar pa incidente.

BE-ja paralajmëron për pasojat në rrugën evropiane

Në përfundim, Komisioni Evropian vlerëson se Kosova dhe Serbia kanë vazhduar të marrin pjesë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por angazhimi i tyre nuk ka prodhuar zbatim të mjaftueshëm të obligimeve të marra.

Përveç çështjes së personave të zhdukur, asnjëra palë nuk ka shënuar përparim të dukshëm në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2023.

Edhe pse janë shënuar zhvillime në çështjen e personave të zhdukur, ndihmën e ndërsjellë juridike dhe lirinë e lëvizjes, zbatimi i disa marrëveshjeve të rëndësishme vazhdon të mbetet i papërfunduar. Për më tepër, disa prej arritjeve të mëparshme të dialogut janë cenuar.

Komisioni u bën thirrje të dyja palëve që të dëshmojnë përkushtim më të madh ndaj obligimeve të tyre, të shmangin veprimet e njëanshme dhe deklaratat që dëmtojnë normalizimin, si dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive për zgjidhjen e çështjeve të hapura.

Në fund, raporti paralajmëron se normalizimi i marrëdhënieve dhe përmbushja e obligimeve që dalin nga dialogu mbeten kushte thelbësore për përparimin e Kosovës dhe Serbisë drejt Bashkimit Evropian. Në mungesë të rezultateve konkrete, të dyja palët rrezikojnë të humbin mundësi të rëndësishme në rrugën e tyre evropiane./Lajmi.net/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.