Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka reaguar për përshkallëzimin e tensioneve gjatë protestave në Tiranë, duke dënuar aktet e dhunshme dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private.
Në reagimin e tij, Delegacioni i BE-së u ka bërë thirrje protestuesve të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të shmangin çdo akt dhune, duke theksuar se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore që duhet të ushtrohen në mënyrë paqësore.
“Dënojmë me forcë përshkallëzimin e dhunës gjatë protestës dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private. U bëjmë thirrje protestuesve të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të shmangin çdo akt dhune. Dhuna nuk ka vend në demokraci. Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane. Ato duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore”, thuhet në reagimin e Delegacionit të BE-së.
BE nënvizon se liria e tubimit dhe e shprehjes përbëjnë vlera thelbësore evropiane dhe duhet të respektohen nga të gjithë.
Delegacioni thekson gjithashtu rëndësinë e dialogut konstruktiv mes palëve, duke e cilësuar atë si rrugën për adresimin e shqetësimeve legjitime.
“Dialogu konstruktiv mes të gjitha palëve është e vetmja rrugë përpara për të adresuar shqetësimet legjitime”, përfundon reagimi.
Edhe ditën e sotme studentët kanë nisur protestën dhe grumbullimet në rrugët e Tiranës që në orët e para të mëngjesit. Protestës i janë bashkuar edhe nxënës dhe studentë, të cilët kanë bojkotuar procesin mësimor.
Në terren janë vendosur forcat e Policisë, të cilat kanë marrë masa për ruajtjen e rendit dhe parandalimin e dëmtimeve të objekteve./rtsh

