Trajneri i Bayern Munichut, Vincent Kompany, është shtrirë në spital pasi pësoi një kolaps të premten gjatë stërvitjes së ekipit të dytë të bavarezëve.
Drejtimin e ekipit e ka marrë përkohësisht stafi teknik, ndërsa të shtunën drejtori sportiv, Max Eberl, njoftoi se gjendja e trajnerit belg tashmë është stabile, por ai do të qëndrojë nën vëzhgim mjekësor edhe për disa ditë.
Lajmi i mirë është se ai është stabil. Do të qëndrojë në spital derisa të përfundojnë të gjitha kontrollet. Shëndeti vjen para futbollit dhe ai do të kthehet vetëm kur të jetë plotësisht i gatshëm. Rikuperimi nuk do të matet me ditë, por me javë", theksoi Eberl, transmeton Klankosova.tv.
Incidenti tronditi futbollistët e rinj të ekipit rezervë, ndeshja e të cilëve u shty menjëherë. Megjithatë, ekipi i parë ka vendosur të luajë ndeshjen e planifikuar ndaj Freiburgut, si mbështetje për trajnerin.
Kompany, i cili javët e fundit po përballej me një infeksion viral, do të marrë të gjithë kohën e nevojshme për rikuperim të plotë përpara se të rikthehet në krye të stolit.

