Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli ka reaguar pas aksionit të sotëm të Prokurorisë Themelore në Prishtinë duke thënë se për një kohë të gjatë ka pasur dyshime serioze për abuzime, deri në elemente të krimit të organizuar, në tjetërsimin e pronave publike.
Pacolli përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar semijëra hektarë janë kaluar përmes procedurave të dyshimta, ndërsa institucionet përgjegjëse shpesh kanë dështuar t’i parandalojnë, madje në raste të caktuara dyshohet se edhe kanë kontribuar në këtë fenomen.
“Që nga marrja e detyrës si ministre, kam ndërmarrë hapa konkretë për ta luftuar këtë dukuri, duke emëruar drejtorin e ri në Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe duke kërkuar rishikimin e rasteve të dyshimta. Ne jemi të vendosur kundër çdo forme të krimit dhe keqpërdorimit të pronës publike, pa asnjë kompromis”, ka thënë Pacolli.
Tutje ajo ka shkruar se: “Dua të përshëndes aksionin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë në Agjencinë Kadastrale të Kosovës. Ndonëse i vonuar, ky veprim është i mirëpritur dhe ka mbështetjen tonë të plotë. Si Ministri e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, jemi në dispozicion për të ndihmuar me çdo informacion dhe bashkëpunim të nevojshëm për zbardhjen e këtyre rasteve dhe vendosjen e ligjshmërisë në këtë institucion”. /Telegrafi/