Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka marrë pjesë në përurimin e fazës së dytë të rrugës së asfaltuar Sofali–Kolovicë “Abedin Dino”, duke thënë se projekti është financuar kryesisht nga Ministria e Infrastrukturës dhe se pritet të përmirësojë ndërlidhjen mes lagjeve në kryeqytet.
Basha ka theksuar se rruga është ndërtuar me standarde moderne, duke përfshirë trotuare në të dy anët dhe shtigje për biçikleta.
“Jemi në një promovim të një rruge tjetër që po bëhet, një rrugë e re që lidh Sofalinë me Kolovicën. Vetëm shiriti qarkullues është 6 metra. Ka trotuare në të dy anët e rrugës: 1.5 metra në njërën anë, 2 metra në anën tjetër. Gjithashtu kemi shtigjet e biçikletave që janë gjithashtu 2 metra”, ka deklaruar ai.
Sipas ministrit, në këtë projekt janë investuar 2.5 milionë euro, ndërsa 1.5 milionë euro janë, siç tha ai, financim i Ministrisë së Infrastrukturës.
“Një rrugë në të cilën janë investuar 2.5 milionë euro. 1 milion euro e gjysmë janë nga Ministria e Infrastrukturës… me këtë, diku 60 për qind e vlerës së këtij projekti është financuar nga Qeveria Kurti”, është shprehur Basha.
Ai ka deklaruar se investimet infrastrukturore do të vazhdojnë në të gjitha komunat, pavarësisht se kush i udhëheq ato politikisht, duke përmendur se edhe Prishtina, sipas tij, trajtohet si çdo komunë tjetër.
“Ne do të vazhdojmë të investojmë në çdo komunë tjetër, por njëkohësisht edhe në Prishtinë… investimet tona po bëhen në të gjitha komunat, pa marrë parasysh se kush qeveris aty”, ka thënë ai.
Duke folur për projekte të tjera në kryeqytet, Basha ka përmendur edhe bashkëfinancimin e vazhdimit të rrugës “Bajram Bahtiri” me katër korsi, si dhe disa investime të tjera rrugore, duke thënë se totali i kontratave të përmendura arrin rreth 9 milionë euro, ku financimi i ministrisë, sipas tij, është rreth 4.3 milionë euro.
“Pra, gjithsej vlera e këtyre kontratave është 9 milionë euro, ku 4.3 milionë euro janë nga ministria jonë, ose diku 47 për qind”, ka deklaruar Basha.
Ndërkohë, i pyetur për autostradën Prishtinë–Gjilan, ai nuk ka dhënë detaje konkrete, por ka thënë se premtimet e Qeverisë Kurti do të realizohen.
“Ne nuk do të ndalemi dhe çdo premtim i kryeministrit Kurti do të realizohet”, ka deklaruar Basha. /Telegrafi/
